Është përcaktuar treshja e gjyqtarëve për dosjen e ish-klubit sportiv “Partizani”. Mësohet se shorti përcaktoi Elsa Ullirin, si gjyqtarja që do japë verdiktin për kryedemokratin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi.
Dy anëtarët e tjerë të trupës gjykuese, janë Bib Ndreca dhe Rudina Palloi.
Kujtojmë se më 19 maj, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kaloi për gjykim dosjen në fjalë, pas rreth 7 muajsh me seanca paraprake.
Ishte gjyqtarja Flojera Dervishi, e cila vendosi të nisë gjyqin për Berishën, Malltezin, biznesmenin Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja e Andia Pustina.
Për herë të parë që nga krijimi i GJKKO-së, në bankën e të akuzuarve do të ulet një ish-kryeministër. Berisha do të gjykohet për veprën penale të “korrupsionit pasiv”. SPAK e akuzon Berishën se gjatë kohës që ishte kryeministër, ka përdorur funksionin e tij për të favorizuar dhëndrin Jamarbër Malltezi, në procesin e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.
Për Prokurorinë e Posaçme, ky privatizim është bërë në mënyrë të parregullt dhe me ndikim të paligjshëm nga Berisha, duke sjellë përfitime të padrejta për Malltezin dhe dëm ekonomik për shtetin. Berisha i ka cilësuar akuzat si politike.
Edhe sot, më 2 qershor, në paraqitjen e radhës në ambientet e SPAK, ai vijoi me akuzat ndaj kreut të këtij organi drejtësi, Altin Dumanit.