2 6 696x464

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi prezantoi sot programin e kësaj partie për Rininë, ndërsa veçoi se të rinjtë do të mbështeten me grante 20 mijë euro për zhvillimin e start up-eve të tyre.

Në Konferencën Rinore të LRI-së, Blushi u shpreh se “falë vizionit dhe mbështetjes së Ilir Metës për të rinjtë, sot Partia e Lirisë mund të quhet edhe Partia e Rinisë”.

Blushi theksoi se programi i PL-së për 4 milionë shqiptarë, në fokus ka pikërisht të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë.

Sipas Blushit, Rama i kishte të gjitha mundësitë që në 12 vite të garantonte arsimim cilësor dhe të krijonte vende pune të mirëpaguara, për të garantuar një Shqipëri ku të rinjtë të kenë shpresë dhe të ardhme.

“Bëri pikërisht të kundërtën! Edi Rama i zhgënjeu dhe i tradhtoi të rinjtë e Shqipërisë, u soll me ta si armiku më i egër i lirive dhe të drejtave të tyre duke i detyruar të largohen masivisht nga vendi, më keq se çdo pushtues në historinë e këtij kombi”, tha ai.

Blushi theksoi se programi i PL-së është konkret dhe plotësisht i financueshëm.

‘Ne do ta ndalojmë shpopullimin përmes politikave që nxisin lindshmërinë, mbështesin të rinjtë dhe të rejat, nënat e reja dhe familjet e reja: duke garantuar pagat e nënave deri në 100% për dy vitet pas lindjes; shumëfishuar bonusin e bebes në mënyrë të përshkallëzuar për çdo bebe; ulur taksat në pagë dhe të ardhura për nënat me dy dhe më shumë fëmijë; garantuar kredi për çiftet e reja, ku interesat i paguan shteti; ofruar shtëpi çifteve të reja sipas modelit hungarez përmes krijimit të fondeve të banesave për çiftet e reja”, tha Blushi.

Po ashtu sipas tij do të ofrohet kredi për blerje shtëpie me interes të subvencionuar dhe zbritje të kredisë me 3 mijë euro për fëmijën e parë, 6 mijë euro për fëmijën e dytë, 10 mijë euro për fëmijën e tretë, e kështu në mënyrë të përshkallëzuar.

Blushi theksoi se do të ofrohet 20 mijë euro grant për çdo të ri deri në 25 vjeç që fillon biznes social ose start-up.

Rritja e pagave dhe e pensioneve në mesataren e vendeve të rajonit, është një tjetër prioritet emergjent, sipas Blushit.

“Dyfishimi i pagave të mësuesve, të mjekëve, të infermierëve është prioritet absolut i Partisë së Lirisë, së bashku me miratimin me ligj të pagës së 13-të. Dyfishimi i pensioneve të prindërve dhe gjyshërve tuaj të dashur është emergjencë dhe bashkë me të edhe pensioni i 13-të pas 12 majit do të garantohet me ligj”, shtoi ai.

Blushi theksoi se për Partinë e Lirisë, arsimi është një kryeprioritet kombëtar sepse “ne besojmë se investimi në arsim eshtë investimi më madhor për të ardhmen e Shqipërisë dhe zgjidhja më e mirë për të ndaluar dramën e madhe të shpopullimit”.

“Do të garantojmë rritjen e financimit të arsimit në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto ose rritje të buxhetit të arsimit me 1.3 miliard euro. Buxheti për Arsimin nuk do të preket as në kohë krizash! Rritje 100% të pagave të mësuesve dhe të pedagogëve; pagë të 13 për mësuesit dhe pedagogët. Inovacioni do të financohet mbi mesataren e Bashkimit Europian”, theksoi ai.

Blushi theksoi se do të zgjerohet mbështetja financiare për studentët e ekselencës dhe do të realizohet mbështetja e sistemit të praktikantëve pranë kompanive vendase dhe të huaja.

“Do të përmirësojë aftësitë dixhitale të të rinjve; do të përgjysmojë shpenzimet e studentëve; do të përfshijë praktikat e detyruara të punës (intership) në Bachelor dhe Master, si dhe do të masivizojë programin “Mëso dhe Fito”, duke rritur numrin e shkollave profesionale dhe gjithashtu duke përmirësuar kurrikulën e tyre profesionale”, shtoi ai.

Po ashtu Blushi theksoi se do të forcohet kërkimi shkencor dhe inovacioni nëpërmjet zhvillimit të kapaciteteve njerëzore, rinovimit të infrastrukturës dhe përmirësimit të legjislacionit.

“5 prioritetet tona madhore nuk janë premtime të zbrazëta; ato janë një nxitje frymëzuese për të vepruar, për t’ju dhënë juve fuqinë dhe mundësinë për të qenë shtylla e ndryshimit që Shqipëria ka nevojë dhe do të realizojë në 11 Maj, me fitoren madhështore të Partisë së Lirisë dhe të opozitës së bashkuar, që në radhë të parë do të jetë fitorja e të rinjve dhe të rejave të mrekullueshme të këtij vendi”, iu drejtua Blushi të rinjve në këtë konferencë.

Blushi ftoi po ashtu qindra mijëra të rinj dhe të reja në diasporë, që të regjistrohen masivisht për të votuar në 11 maj, sepse kjo është hera e parë që ju jepet një mundësi historike për të shprehur vullnetin e tyre.

Ndërsa zv.Presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho vlerësoi se “LRI ka qenë gjithmonë një organizëm i gjallë, një laborator idesh dhe një forcë që ka çuar përpara shumë kauza”.

Xhixho theksoi se sot në Shqipëri ka 54 mijë studentë më pak se në vitin 2013, ndërsa theksoi se papunësia tek të rinjtë shqiptarë mbetet në 22%, niveli më i lartë në Ballkan ku është 13-14% dhe shumë më i lartë se në BE, ku është 7-8%.

“Ndaj në 11 maj votojmë masivisht ndryshimin që të realizojmë programin tonë, i cili parashikon rritje të buxhetit të arsimit me 1.3 miliard euro ose financim me 5% të PBB; sukses 100% të internetit në institucionet arsimore; përmirësim i sistemit të këshillimit të karrierës; reformë të thellë të kurrikulës me përmbajtje të fortë kombëtare, për gjuhën, historinë dhe kulturën”, tha ajo.

Xhixho theksoi se do të rritet numri i shkollave profesionale dhe gjithashtu duke përmirësuar kurrikulën profesionale të tyre.

Po ashtu, Xhixho theksoi se programi parashikon subvencionim për kompanitë, ku përfshihen sigurimet shoqërore/shëndetësore me qëllim trajnimin për punonjës, për çdo të punësuar deri në moshën 29-vjeçare.

“Ndaj 11 maji është dita më e rëndësishme e kësaj beteje mes Shqipërisë që po zbrazet dhe një Shqipërie që e fiton betejën me shpopullimin, duke u kthyer në vendin e mundësive për të gjithë dhe sidomos për të rinjtë, jo vetëm për disa”

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights