Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se ditën e enjte vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme.
Sipas parashikimit, moti do të karakterizohet nga vranësira mesatare deri të dendura, me alternime të herëpashershme kthjellimesh. Në Ultësirën Perëndimore parashikohen reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët, ndërsa në periudha shumë afatshkurtra reshjet mund të shfaqen në formën e shtrëngatave.
Temperaturat më të ulta do të regjistrohen në Kukës, Dibër dhe Korçë, ku minimalja do të jetë -1 gradë Celsius. Ndërsa temperaturat më të larta do të shënohen në zonën qendrore dhe Ultësirën Perëndimore, ku temperaturat do të jenë deri në 15 gradë Celsius.
Sipas parashikimeve, era do të fryjë nga verilindja në juglindje me shpejtësi mesatare rreth 6 m/s. Përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore, në pjesën e parë të ditës, era pritet të forcohet deri në 16 m/s, duke shkaktuar valëzim në det të forcës 2–4 ballë. Pas orëve të mesditës, era do të dobësohet, me shpejtësi mesatare rreth 5 m/s.
