Psikologët thonë se gjumi i zgjatur në mëngjes tregon shmangie nga përgjegjësitë. Gjumi i tepër, në një farë mënyre, është shmangie nga realiteti që një individ, dashur padashur, bie pre e gjumit të gjatë.
Psikologët vërtetojnë këtë gjë, duke pohuar se “gjumi i mëngjesit, në disa raste te disa persona, është një lloj tendence për të shmangur një aktivitet që nuk të jep kënaqësi. Ndërsa, në disa momente të veçanta personi pret të përballet me diçka të pakëndshme. Kjo bën që të shtohet kohëzgjatja e gjumit”. Ndërkohë, fjetja me orare të zgjatura nuk bën mirë për psikologjinë e njeriut. Pasi ky person që fle shumë do të jetë i plogësht gjatë gjithë ditës dhe nuk do të ndihet mirë nga ana fizike.
Për gjithë ditën do të ndihet i lodhur dhe paksa i lënë pas dore nga njerëzit që i rrinë afër. Mjekët nuk e këshillojnë gjumin e tepërt, që do të thotë shtatë orë gjumë në ditë. Në këtë hark kohor, kushdo mund të pushojë dhe të gjejë qetësinë, qoftë mendore apo trupore.
Psikologët e ilustrojnë gjumin e tepërt me moshat shkollore, të cilët nuk shkojnë orët e para në mësim. Kjo do të thotë se të rinjtë mundohen t’i shmangin përgjegjësitë e tyre. Ky veprim vihet re më tepër tek ata të rinj, që nuk kanë rezultate të mira në mësime. Këta fëmijë kanë frikë të përballen me mësuesin apo me një orë mësimi, ku nuk janë të përgatitur. Kurse tek njerëzit, që kanë një familje dhe kanë një punë, detyrat janë më të mëdha dhe te këta ndodh shumë rrallë ky fenomen.