Në kuadër të kontrollet intensive në Korçë për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, policia e Korçës ka finalizuar operacionin e koduar “Organizatori”.
Policia njofton se, si rezultat i operacionit, është arrestuar në flagrancë shtetasi A. R., 57 vjeç, banues në Korçë, pronar i një lokali në fshatin Bulgarec, i cili organizonte lojëra fati të paligjshme dhe shpërndante lëndë narkotike të llojit kokainë në ambientet e lokalit.
-Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin
-Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara
-Prodhimi dhe shitja e narkotikëve
Gjatë kontrollit në lokal, shërbimet e Policisë konstatuan se ambienti ishte përshtatur për zhvillimin e lojërave të fatit dhe për shitje e përdorim droge. Në banak u gjetën dhe u sekuestruan 14 doza me lëndë të dyshuar kokainë, ndërsa nga këqyrja e celularit të tij u konstatuan faqe aktive për baste sportive.
Gjatë ndërhyrjes policore, disa persona tentuan të fshihnin provat. Për këtë arsye, ka nisur procedimi penal për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” ndaj shtetasve:
-R. K., banues në Korçë
-F. A., banues në fshatin Vinçan, Korçë
-H. M., banues në fshatin Vloçisht, Maliq
Gjithashtu, janë proceduar penalisht 14 shtetas të tjerë për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi kishin dijeni për veprimtarinë e paligjshme dhe nuk e kallëzuan atë pranë organeve kompetente.
Në lidhje me këtë rast, ka nisur procedimi penal edhe ndaj shtetasit D. L., punonjës policie pranë PKK Kapshticë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, si dhe ndaj tij ka filluar hetimi disiplinor nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit.
Në përfundim të operacionit, Policia e Korçës njofton se në cilësinë e provës materiale u sekuestruan:
-14 doza kokainë
-shuma monetare në lekë, euro, paund dhe lira turke
-1 automjet
-8 telefona celularë
-letra bixhozi dhe çipsa për lojëra fati
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.
