1 27 696x464

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla reagoi sot ndaj kërkesave të deputetëve të opozitës në Kuvend, që të përshëndetet nga Parlamenti shqiptar arritja e marrëveshjes së paqes mes Hamasit dhe Izraelit.

Gjatë seancës plenare në Kuvend, Balla i konsideroi kërkesat e opozitës për të përshëndetur planin e paqes në Lindjen e Mesme, që ende nuk është firmosur, si një “shfaqje butaforike” e PD-së për të treguar se kush është më proamerikan.

Balla theksoi se edhe vetë Presidenti Trump nuk ka udhëtuar ende në Lindjen e Mesme dhe se faza e parë e marrëveshjes së paqes për Gazën nuk është ratifikuar ende as nga qeveria izraelite.

“Kursejani vetes këto gafa diplomatike. Se siç thatë ju, ne duhet të jemi parlamenti i parë në botë që të përshëndesim një marrëveshje paqeje që pritet ta firmosë Trump javën e ardhshme,” u shpreh Balla.

Ai iu drejtua opozitës që të përmbajnë Tritan Shehun, i cili doli me propozimin për të përshëndetur planin e paqes, pasi siç tha Balla, “ ndonjë ditë do na shpallë luftë me Marsin.”

“Shqipëria është anëtare e NATO-s, kemi marrëdhënie strategjike me SHBA. T’ia kursejmë vetes këto, se dukemi qesharakë. Në emër të grupit parlamentar socialist i përshëndesim të gjitha përpjekjet maksimale të Trump, jo vetëm në Lindjen e Mesme, por kudo në botë,” tha Balla.

Gjatë seancës plenare, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh se Shqipëria duhet të përshëndesë hapin e parë drejt marrëveshjes së paqes mes Gazës dhe Izraelit, me nismën e presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

“Duhet të përshëndesim hapin e parë të marrëveshjes prej 21 pikash të planit të paqes të presidentit Trump, dhe e kanë përshëndetur, sa për dijeni, edhe personalitete botërore. Është hapi i parë dhe meriton përshëndetjen më të plotë. Izraeli tërhiqet në një linjë të caktuar, lirohen 20 pengjet e gjalla nga Hamasi. Kush e pengoi kryetarin e parlamentit të hapë parlamentin me një përshëndetje të tillë? Kjo është për t’u përshëndetur. Po e përshëndesin të tjerët, kurse ne i bëjmë gjyqin atij që propozoi”, u shpreh Berisha.

Nga ana e tij, deputeti i PD-së, Tritan Shehu, tha se “qeveria shqiptare është ndër të vetmet në vendet demokratike që nuk mbështetën planin e Trump për paqen në Gaza”.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights