Capture 71

Në një opinion të botuar në The New York Times, studiuesi i njohur i gjenocidit, Omar Barkov, ish-ushtarak i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit dhe akademik me dekada në kërkim mbi krimet e luftës dhe Holokaustin, ndan përfundimin e tij të hidhur: ajo që po ndodh në Gaza nuk është thjesht luftë — është gjenocid. Më poshtë gjendet përkthimi i plotë i opinionit të tij:

Jam një studiues i gjenocidit. E njoh kur e shoh.

Nga Omar Barkov | The New York Times

Një muaj pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, besoja se kishte prova që ushtria izraelite kishte kryer krime lufte dhe potencialisht krime kundër njerëzimit në kundërsulmin e saj në Gaza. Por, ndryshe nga thirrjet e kritikëve më të ashpër të Izraelit, provat nuk më dukeshin si të mjaftueshme për të përbërë krimin e gjenocidit.

Deri në maj 2024, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit kishin urdhëruar rreth një milion palestinezë që strehoheshin në Rafah, qyteti më jugor dhe i fundit relativisht i paprekur i Rripit të Gazës, të shpërnguleshin në zonën bregdetare të Mawasit, ku kishte pak ose aspak strehim. Ushtria më pas vazhdoi të shkatërronte pjesën më të madhe të Rafahut, një mision që u përmbush kryesisht deri në gusht.

Në atë pikë dukej e pamundur të mohohej që modeli i operacioneve të IDF-së ishte në përputhje me deklaratat që tregonin për qëllim gjenocidal të bëra nga udhëheqësit izraelitë në ditët pas sulmit të Hamasit. Kryeministri Benjamin Netanyahu premtoi që armiku do të paguante një “çmim të madh” për sulmin dhe që IDF do të kthente pjesë të Gazës, ku vepronte Hamasi, “në gërmadha”, duke u bërë thirrje “banorëve të Gazës” të “largoheshin tani sepse ne do të veprojmë me forcë kudo”.

Z. Netanyahu u kujtoi qytetarëve të tij “çfarë ju bëri Amaleku”, një citat që shumë e interpretuan si një referencë ndaj pasazhit biblik që kërkon nga izraelitët të “vrasin njësoj burra dhe gra, foshnja dhe të sapolindur” të armikut të lashtë.

Zyrtarë të qeverisë dhe ushtrisë thanë se po luftonin “kafshë njerëzore” dhe, më vonë, bënë thirrje për “shfarosje totale”. Nissim Vaturi, nënkryetar i Parlamentit, shkroi në X që detyra e Izraelit duhet të ishte “fshirja e Rripit të Gazës nga faqja e dheut”.

Veprimet e Izraelit mund të kuptohen vetëm si zbatim i qëllimit të shprehur për ta bërë Rripin e Gazës të pabanueshëm për popullsinë palestineze. Besoj se qëllimi ishte, dhe mbetet sot, të detyrohet popullsia të largohet nga Rripi krejtësisht ose, duke pasur parasysh se nuk ka ku të shkojë, të dëmtohet enklava me bombardime dhe privime të rënda ushqimore, uji të pastër, sanitare dhe ndihme mjekësore në atë masë sa të bëhet e pamundur që palestinezët në Gaza të ruajnë ose rindërtojnë ekzistencën e tyre si grup.

Përfundimi im i pashmangshëm është se Izraeli po kryen gjenocid ndaj popullit palestinez. Duke qenë se jam rritur në një familje sioniste, kam jetuar gjysmën e parë të jetës sime në Izrael, kam shërbyer në IDF si ushtar dhe oficer dhe kam kaluar pjesën më të madhe të karrierës duke hulumtuar dhe shkruar për krimet e luftës dhe Holokaustin, ky ishte një përfundim i dhimbshëm për t’u arritur dhe që e kam rezistuar për aq kohë sa kam mundur. Por kam mësuar kurse mbi gjenocidin për një çerek shekulli. E njoh një të tillë kur e shoh.

Ky nuk është vetëm përfundimi im. Një numër gjithnjë e më i madh ekspertësh të studimeve të gjenocidit dhe të së drejtës ndërkombëtare kanë arritur në përfundimin se veprimet e Izraelit në Gaza mund të përkufizohen vetëm si gjenocid. E njëjta gjë vlen për Francesca Albanese, raportuesen speciale të OKB-së për Bregun Perëndimor dhe Gazën, dhe Amnesty International. Afrika e Jugut ka ngritur një çështje për gjenocid kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Refuzimi i vazhdueshëm i këtij përcaktimi nga shtetet, organizatat ndërkombëtare dhe ekspertët ligjorë e akademikë do të shkaktojë dëm të pallogaritshëm jo vetëm për njerëzit e Gazës dhe Izraelit, por edhe për sistemin e së drejtës ndërkombëtare të ndërtuar pas tmerreve të Holokaustit, të krijuar për të parandaluar që mizori të tilla të ndodhnin ndonjëherë sërish. Është një kërcënim ndaj vetë themeleve të rendit moral mbi të cilin të gjithë ne mbështetemi.

“Është një kërcënim ndaj vetë themeleve të rendit moral mbi të cilin të gjithë ne mbështetemi”.

Krimi i gjenocidit u përkufizua në vitin 1948 nga Kombet e Bashkuara si “qëllimi për të shkatërruar, tërësisht ose pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar, si të tillë.” Prandaj, për të përcaktuar se çfarë përbën gjenocid, duhet të përcaktojmë si qëllimin ashtu edhe provat që ai po realizohet. Në rastin e Izraelit, ky qëllim është shprehur publikisht nga zyrtarë dhe udhëheqës të shumtë. Por qëllimi mund të nxirret edhe nga modeli i operacioneve në terren, dhe ky model u bë i qartë deri në maj 2024  dhe që atëherë është bërë edhe më i qartë, ndërsa IDF ka shkatërruar sistematikisht Rripin e Gazës.

Shumica e studiuesve të gjenocidit janë të kujdesshëm për ta përdorur këtë term për ngjarje bashkëkohore, pikërisht për shkak të tendencës, që nga krijimi i tij nga juristi hebreo-polak Raphael Lemkin në vitin 1944, për ta atribuar atë ndaj çdo masakre ose mizorie. Madje disa argumentojnë se kategorizimi duhet të braktiset krejtësisht, sepse shpesh shërben më shumë për të shprehur indinjatë sesa për të identifikuar një krim të veçantë.

Megjithatë, siç e kuptoi Lemkin, dhe siç ra dakord më vonë OKB-ja, është thelbësore të mund të dallojmë përpjekjen për të shkatërruar një grup të caktuar njerëzish nga krimet e tjera sipas të drejtës ndërkombëtare, si krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit. Kjo sepse, ndërsa krimet e tjera nënkuptojnë vrasje të pakujdesshme ose të qëllimshme të civilëve si individë, gjenocidi nënkupton vrasjen e njerëzve si pjesëtarë të një grupi, me qëllimin për ta shkatërruar në mënyrë të pakthyeshme grupin vetë në mënyrë që të mos mund të rindërtohet kurrë si entitet politik, social ose kulturor.

Përcaktimi ka pasoja të mëdha politike, ligjore dhe morale. Kombet, politikanët dhe personeli ushtarak të dyshuar për, të akuzuar për ose të shpallur fajtorë për gjenocid shihen si të jashtëzakonshëm nga njerëzimi dhe mund të humbasin të drejtën për të mbetur anëtarë të komunitetit ndërkombëtar. Një konstatim nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë se një shtet i caktuar është i përfshirë në gjenocid mund të çojë në sanksione të rënda.

Politikanë ose gjeneralë të akuzuar për gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare Penale mund të arrestohen jashtë vendit të tyre. Dhe një shoqëri që e miraton dhe është bashkëfajtore në një gjenocid do ta mbajë këtë njollë të Kejnit shumë kohë pasi të shuhet urrejtja dhe dhuna.

Izraeli ka mohuar të gjitha akuzat për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. IDF thotë se heton raportet për krime, edhe pse rrallë i bën publike gjetjet e saj, dhe kur pranon shkelje të disiplinës ose protokollit, zakonisht jep vërejtje të lehta. Udhëheqësit ushtarakë dhe politikë izraelitë vazhdimisht e përshkruajnë IDF-në si duke vepruar ligjërisht, duke thënë se paralajmërojnë popullatat civile që të evakuojnë vendet që do të sulmohen dhe fajësojnë Hamasin për përdorimin e civilëve si mburoja njerëzore.

Por shkatërrimi sistematik në Gaza, jo vetëm i banesave por edhe i infrastrukturës,  ndërtesa qeveritare, spitale, universitete, shkolla, xhami, objekte të trashëgimisë kulturore, impiante përpunimi të ujit, zona bujqësore dhe parqe, pasqyron një politikë të synuar për ta bërë të pamundur ringjalljen e jetës palestineze në territor.

Sipas një hetimi të fundit të Haaretz, rreth 174 mijë ndërtesa janë shkatërruar ose dëmtuar, që përbëjnë deri në 70% të të gjitha strukturave në Gaza. Deri tani, më shumë se 58 mijë njerëz janë vrarë, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës, përfshirë më shumë se 17 mijë fëmijë. Më shumë se 2 mijë familje janë shuar krejtësisht dhe 5 mijë e 600 familje kanë vetëm një të mbijetuar. Të paktën 10 mijë persona besohet se ende janë nën rrënoja. Më shumë se 138 mijë janë plagosur.

Gaza tani mban rekordin e zymtë të numrit më të lartë për frymë të fëmijëve me lëndime në botë. Një brez i tërë fëmijësh të ekspozuar ndaj sulmeve të vazhdueshme, humbjes së prindërve dhe kequshqyerjes së zgjatur do të vuajnë pasoja të rënda fizike dhe mendore për gjithë jetën.

Kjo nuk është më luftë. Për një vit, IDF nuk ka luftuar një trupë të organizuar ushtarake. Hamasi që planifikoi dhe kreu sulmet e 7 tetorit është shkatërruar, megjithëse grupi i dobësuar ende lufton dhe ruan kontrollin në zona ku ushtria izraelite nuk ka hyrë.

Sot IDF është kryesisht e angazhuar në një operacion shkatërrimi dhe spastrim etnik. Kështu e ka përshkruar edhe ish-shefi i stafit dhe ministri i mbrojtjes i Netanyahut, Moshe Yaalon.

Në janar u arrit një armëpushim nën presionin e Donald Trump, por që u thye në mars nga Izraeli. Që atëherë, IDF po përqendron të gjithë popullsinë e Gazës në një të katërtën e territorit, duke shkatërruar gjithçka tjetër.

A është spastrim etnik apo gjenocid? Në fakt, këto shpesh lidhen. Kur një grup etnik nuk ka ku të shkojë, zhvendoset vazhdimisht nga një “zonë e sigurt” në tjetrën dhe bombardohen e uriten pareshtur, spastrim etnik mund të kthehet në gjenocid.

Ky ishte rasti me gjenocidet e shekullit XX: në Namibi në vitin 1904, ndaj armenëve, madje edhe Holokausti filloi me përpjekjen për dëbim dhe përfundoi me vrasje.

Çfarë ndodh me kujtesën e Holokaustit? Heshtja e shumë studiuesve të Holokaustit dhe përpjekja për të diskredituar kolegët që e denoncojnë këtë si gjenocid rrezikon të shkatërrojë besueshmërinë e vetë kujtesës së Holokaustit si një mësim universalisht i vlefshëm.

Si do ta përballojë Izraeli të ardhmen? Nëse Izraeli nuk ndryshon kurs, mund të shndërrohet përfundimisht në një shtet autoritar dhe apartheid, që historia na mëson se nuk mund të mbijetojnë. Por një brez i ri izraelitësh mund të përballet me të ardhmen pa u fshehur pas Holokaustit si justifikim për çnjerëzoren. Dhe kjo, ndonëse nuk do t’i kompensojë vuajtjet e palestinezëve, mund ta ndihmojë Izraelin të jetojë në paqe dhe barazi me shtatë milionë palestinezët që ndajnë të njëjtën tokë.

Ky do të ishte i vetmi shlyerje e drejtë.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights