Ndërsa forca goditëse e “Yesha-stan” vazhdon me devotshmëri misionet e saj në Bregun Perëndimor, duke dëbuar sa më shumë palestinezë nga tokat e tyre, një dëbim tjetër, më i heshtur, po zhvillohet larg vëmendjes së mediave.
Dhuna e këtij procesi nuk kryhet me shufra hekuri apo plumba të vërtetë, por përmes urdhrave dhe rregulloreve të hartuara nga ekspertë ligjorë të panjohur, të veshur mirë, të nënshkruara nga gjeneralë të ushtrisë dhe të miratuara nga Gjykata e Lartë e Izraelit.
Ky transferim i popullsisë njihet më shumë me emrin “Zona Kufitare” (Seam Zone): një zonë e gjerë prej rreth 320 mijë dynymësh, e pozicionuar mes barrierës së ndarjes, e ngritur thellë brenda Bregut Perëndimor dhe vijës së gjelbër. Ajo zonë është e hapur për izraelitët dhe turistët, por e ndaluar për palestinezët.
Izraelitët dhe vizitorët mund të lëvizin lirshëm dhe të zgjerojnë aty vendbanimet e tyre periferike, të cilat konsiderohen të paligjshme sipas të drejtës ndërkombëtare. Për palestinezët që jetojnë në territorin e pushtuar nga Izraeli në vitin 1967, kjo zonë kryesisht rurale ka qenë rezervuari i tyre natyror i tokave, tashmë i shtyrë përtej “maleve të errësirës”.
Pakica prej tyre, fermerët nga fshatrat mes Qalqilya-s dhe Ya’bad-it që dikur kishin leje hyrjeje, janë ndaluar të hyjnë në tokat e tyre për dy vitet e fundit. Pas peticioneve të organizatës izraelite të të drejtave të njeriut HaMoked, disa fermerë morën së fundmi leje vetëm për dy ose tre ditë për të mbledhur ullinjtë. Por ata u penduan që shkuan: Zemrat u thyen kur panë pemët e thara dhe arat e braktisura.
Kur ekspertët e vërtetë të politikave izraelite – palestinezët, e majta dhe organizatat e të drejtave të njeriut – paralajmëruan në fillim të viteve 2000 se itinerari i barrierës së ndarjes ishte hartuar për të konfiskuar tokë më pjellore, zyrtarët shtetërorë iu përgjigjën me përbuzje: “Ne? Të duam sa më shumë tokë me sa më pak palestinezë? E pamundur. Nga e nxorët këtë ide? Siguria është shqetësimi ynë i vetëm.”
Ndërkohë, milicitë e Yesha-stan-it vendosën karvane të paligjshme dhe stalla bagëtish vetëm pak metra larg ullishtave palestineze, e më pas pretendonin se sezoni i vjeljes paraqiste kërcënim sigurie. Ata thonë se është e drejta e tyre hyjnore të sulmojnë fermerët deri sa t’i nxjerrin gjak.
Nga ana e saj, shteti e ka dënuar popullsinë që pushtoi në vitin 1967 me një fat të përjetshëm të nënshtetasve pa të drejta, duke e trajtuar çdo pus burimi, treg apo vizitë të organizuar në Zonën C si një shkelje të dënueshme. Ndërsa në Zonën Kufitare, një “Zona C e shumëfishuar”, kufizimet janë aq drakoniane sa që disa mijëra palestinezë që jetojnë në fshatrat e bllokuara brenda saj mund të jetojnë në shtëpitë e tyre vetëm nëse Izraeli ua lëshon lejet speciale.
Kohët e fundit, banorëve të tre fshatrave në veriperëndim të Jerusalemit, Beit Iksa, Nabi Samwil dhe Khalaila, iu shtua ky status i “popullsisë së bllokuar”. Për ta, kjo nuk përbën as ndonjë ndryshim dramatik: Ata kanë qenë të shkëputur prej kohësh nga të afërmit, miqtë dhe vendet e punës. Për 20 vjet, kanë përballuar kufizime të ashpra në lëvizje dhe ndërtim. Dikur, një zonë e gjallë i lidhte këto fshatra me njëri-tjetrin dhe me arat e tyre. Sot është “pastruar” nga palestinezët dhe i është bashkuar në mënyrë efektive territorit izraelit.
Tani, edhe banorët e këtyre tre fshatrave duhet të pajisen me leje izraelite vetëm për të vazhduar të jetojnë në shtëpitë e tyre. Qindra prej tyre nuk i kanë marrë këto leje; dhjetëra të tjerë janë informuar se nuk do t’i marrin kurrë. Burokratët izraelitë, duke zbatuar me përpikëri urdhrat, do të vendosin se kujt t’i revokojnë lejet në të ardhmen, të lirë të shpikin kushte të reja “banimi” sa herë të jetë e nevojshme.
Ky është një dëbim i qetë, që vazhdon pa u ndalur, dhe që zhvillohet nën radar. Dhe ky realitet shpjegon pse shumica e izraelitëve nuk tronditen vërtet nga dëbimet e dhunshme të kryera nga “i dërguarit e të Plotfuqishmit” dhe pse nuk mbushin rrugët në protestë për t’i ndalur ato. Në fund të fundit, të gjithë mbështesin mundësinë për të zgjeruar sa më shumë pasuritë e paluajtshme për hebrenjtë.
