Ky opinion është shkruar nga gazetari italian Marco Imarisio dhe është publikuar në gazetën Corriere della Sera. Në artikull, trajtohet mënyra se si regjimi rus përdor propagandën dhe kufizimet e internetit për të kontrolluar opinionin publik, duke e lidhur këtë me strategjinë politike të Kremlinit dhe luftën në Ukrainë.
“Nuk duam, nuk do të na kapni në rrjetin tuaj të internetit!!” – Kënga i është besuar një ish-ylli të njohur të skenës muzikore ruse, ndërsa pas saj një grup fëmijësh këndojnë dhe kërcejnë me entuziazëm. Një skenë që të kujton një propagandë të stilit të Koresë së Veriut.
Telekomanda e shtetit po përdoret gjithnjë e më shumë si mjet propagande: televizioni shtetëror transmeton disa herë në ditë mesazhe që synojnë të bindin popullsinë se një jetë pa internet, ose vetëm me internet të kontrolluar nga Kremlini, është e pranueshme.
Një model që ngjan gjithnjë e më shumë me atë kinez…
Ndërkohë, në Moskë raportohen kufizime të forta ndaj aplikacioneve si WhatsApp apo Telegram. Ky bllokim i plotë mund të interpretohet në dy mënyra: nga njëra anë si një tjetër shenjë e dyshimit të vazhdueshëm të Vladimir Putin ndaj kryeqytetit dhe frikës nga lëvizjet e brendshme; nga ana tjetër, si një test për shtrëngimin e mëtejshëm të lirive civile, ndoshta në prag të një mobilizimi të ri.
Në këtë tablo, një gjë duket e qartë: lufta në Ukrainë nuk është thjesht një konflikt për Rusinë, por një projekt personal për Putinin.
Për të, bisedimet ndërkombëtare nuk kanë qenë veçse një mënyrë për të fituar kohë dhe për të krijuar iluzionin e një zgjidhjeje paqësore. Në realitet, qëllimi mbetet i pandryshuar: konsolidimi i kontrollit mbi territoret e Donbasit dhe paraqitja e një “fitorje” që mund të shitet si sukses historik.
Sipas këtij këndvështrimi, edhe zhvillimet globale, nga tensionet e tjera ndërkombëtare deri te lëvizjet e SHBA-ve, po i shërbejnë Kremlinit. Rritja e çmimeve të energjisë dhe lehtësimi i disa kufizimeve ekonomike mund të sjellin përfitime të përkohshme për ekonominë ruse, duke i dhënë regjimit një shtysë të re.
Ndërkohë, deklarata të tilla si ato të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, apo komentet kritike ndaj NATO-s dhe SHBA-ve, interpretohen në Moskë si dëshmi e dobësimit të kundërshtarëve.
Për Kremlinin, prioriteti është i qartë: vazhdimi i “operacionit ushtarak special”. Çdo gjë tjetër: diplomacia, ekonomia apo marrëdhëniet ndërkombëtare, mbetet dytësore.
Nga ky këndvështrim, Putini shihet si një lider që kërkon të hyjë në histori përmes luftës, duke u krahasuar me figurat e mëdha historike ruse si përshembull Pjetri i Madh.
Në fund, ky konflikt rrezikon të lërë Rusinë në një pozicion të ngjashëm me krizat historike të fuqive të mëdha që humbën ndikimin e tyre global.
Por për Putinin, më e rëndësishmja është të shtyjë përpara luftën dhe të vonojë momentin kur Rusia do të përballet me pasojat e veprimeve të saj.
