1760867137 belindaballuku

Nuk ka një të vërtetë absolute, por shumë të vërteta relative që madje edhe mund të kundërshtojnë njëra-tjetrën. Gjithçka varet nga këndvështrimi, interesi e mbi të gjitha nga koha që mund të ndryshojë po gjithçka. Për shembull, për historinë e Shqipërisë, Gjergj Kastrioti është Heroi Kombëtar i shqiptarëve, kurse nipi i tij Hamza, është tradhëtar e atdhevrasës. Për historiografinë turke, Gjergji i lavdishëm është renegati që tradhëtoi Portën e Lartë, ndërsa Hamzai, heroi që luftoi tradhëtarin.

Po me turq në mes, në segmentin Tiranë – Vlorë, po zhvillohet një ndeshje tjetër e egër mes shqiptarësh. Që betohen në flamur e atdhe për ndershmërinë vetjake dhe tradhëtinë e tjetrit. Njëri si patriot e tjetri renegat e anasjelltas. Behxhet Pacolli dhe Valon Ademi ishin shpallur fitues të garës për ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Bashkë me ta edhe një kompani turke. Turqit ishin mjaft të rëndësishëm në këtë bashkëpunim sepse CV-ja e tyre në projekte të ngjashme, ishte karta fituese për koncesionin e ardhshëm. Por karta nuk u shndërrua dot në kazmë, lopatë e beton për të ndërtuar. Sepse pa u tharrë ende boja në kontratë, turqit shesin aksionet e tyre – gati gjysmën e tyre – për më pak se pesë mijë euro. Sa mund të kushtojnë vetëm një grusht biletash vajtje – ardhje në bussines class në linjën Tiranë – Stamboll. Çfarë ndodhi më pas me koncesionin që do të kushtonte qindra milionë euro në 35 vjet, është një histori e ripërsëritur. Një histori me investitorë strategjikë të huaj që përdoren për kartvizitë dhe që pastaj largohen duke lënë aktorët lokalë të vetëm në fushën e lojës. Një fushë loje që funksionon me rregulla tipike shqiptare. Të shkruara e të pashkruara. Asnjë sinjal, asnjë shqetësim e veprim dhe asnjë ngritje supesh nga autoritetet shqiptare që duartrokisnin investimin në Vlorë si një mirë që binte nga qielli për turizmin shqiptar, por që nuk shihnin se përpara se të hapeshin themelet e kullës së aeroportit, ishte shtruar pista hilacake e zakonshme.

E shkuara në raste të ngjashme ka dëshmuar se nuk mund të pritet ndonjë zgjidhje e hajrit e bastit mes dy shqiptarëve nga drejtësia. E cila në hetimin që ka nisur është ende larg thelbit të vërtetë të çështjes: a ka qenë e ndershme gara që në gjenezë? Britanikët e AL-DE Corporation që u përjashtuan nga gara për mungesë dokumentacioni, pretendojnë se autoritetet shqiptare bënë ndryshime të papritura në kriteret e garës vetëm pak ditë para afatit të dorëzimit të tyre. Largimi i turqve bashkëfitimtarë më pas, i jep tjetër kuptim humbjes britanike. Sepse ikën turqit, por kush erdhi më pas?

Shqipëria ka nevojë për Turqinë moderne. Ka nevojë edhe për miqësinë e Presidentit Erdogan sot e pasuesit të tij nesër. E shtrënguar si sanduiç mes interesash gjeopolitike në rajon që ndryshojnë pavarësisht vullnetit shqiptar, në listën modeste të sukseseve shqiptare në këto tre dekada e kusur demokraci, Turqia është dëshmuar shpesh si miku i mirë i ditës së ligë. Aleanca në Luftën e Kosovës apo dhe kontributi i çmuar në çlirimin e Tiranës nga pushtimi i heshtur Gylenist, janë dy pika që lëvizën në drejtimin e duhur botën tonë të vogël. Dhe kjo meriton mirënjohje, por dhe pragmatizëm në vlerësim. Në forumin e investimeve Shqipëri-Turqi të mbajtur në fund të javës së shkuar në Tiranë, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku provokoi habi kur tentoi të gjejë edhe arsye historike për ardhjen e mundshme të investimeve turke në Shqipëri. Arsye që sipas saj, “…nuk kanë ndryshuar shumë nga arsyet se pse Bajaziti, Murati apo Mehmet Fatihu donin të instaloheshin në Shqipëri”.

Pra, ata kishin ardhur atëherë me zjarr e hekur, me jeniçerë jataganzhveshur e bronx topash, me gjuhë tjetër e gërshërë berberësh për synetllik, me shkatërrim kishash e ndërtim xhamish mbi rrënojat e tyre, me dhunë mbi burrat e përdhunim mbi gratë, kishin ardhur vetëm për të investuar në Shqipëri. Kishin ardhur për “…t’i dhënë një shtysë të madhe zhvillimit ekonomik në të gjithë Shqipërinë, …për t’u shndërruar në burim punësimi” apo edhe për integrimin evropian të vendit. Kështu mund të thuhet në telenovelat e nesërme turke dhe kjo ide mund të pranohet si e vërtetë nga këndvështrimi i tyre. E vërteta kundërthënëse, sipas historiografisë shqiptare, është se ata erdhën si pushtues, u sollën si pushtues dhe ikën si pushtues të vajtuar vetëm nga bashibozukët e muhibët e tyre shqiptarë, që Babën donin e të Babës kanë marrë! Nuk ka mësues më të keq sesa historia që lexohet gabim për hir të shkrimit të historisë së të ardhmes. Dhe Erdogani i sotëm, edhe pse në Tiranë i thërrasin sulltan, nuk ka asnjë lidhje me Bajazitin, Muratin apo Mehmet Fatihun dhe as me mjetet e tyre të udhëtimit në Shqipëri. Kohë e re edhe kur zakonet duken të vjetra.

Duken si të largët dhe pa lidhje shqiptarët Behxhet e Valon, aeroporti në Vlorë, osmanët e ikur dikur e turqit e lutur për të ardhur nesër, britanikët e përzënë, integrimi evropian, ministrja Diellë e prokurimeve që atëherë nuk kishte lindur ende, transferimi i mundshëm i pronësisë së një pike strategjike në duar jo miqësore me Shqipërinë, betejave epike me të njëjtën muzikë të trompës patriotike, parave në mes e pronarëve fundorë pa emra e me shumë fytyra. Por kjo nuk është një histori e re. Eshtë telenovela tragjike shqiptare e shkruar dhe interpretuar keq në shumë e shumë vite; është provë e dhembshme se shqiptarët Kastriotë, bij edhe të Gjergjit, edhe të Hamzait, janë në gjendje t’i bëjnë Shqipërisë në paqe, atë që as pushtuesit më të egër nuk kanë mundur dot t’ja bëjnë me luftë. Sa kohë që në mes janë paratë e pushteti.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights