Njoftimi i kryeministrit britanik, Sir Keir Starmer, se Britania do të njohë shtetësinë palestineze përbën një ndryshim të madh në politikën e jashtme britanike.
Ai u shpreh i gatshëm ta shtynte këtë njohje, nëse Izraeli do të ndërmerrte hapa thelbësorë për t’i dhënë fund situatës së tmerrshme në Gaza, të pranonte një armëpushim dhe të angazhohej për një paqe afatgjatë e të qëndrueshme, duke ringjallur perspektivën për një zgjidhje me dy shtete.
Por refuzimi i menjëhershëm i Izraelit e bën që ekipit të fjalimeve të Starmer t’i duhet të nisë menjëherë punën për atë që ai do të thotë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator. Një zyrtar i lartë britanik e ka cilësuar njohjen e Palestinës nga Mbretëria e Bashkuar si “të pakthyeshme”.
Starmer nuk pret që kjo lëvizje të prodhojë një shtet palestinez të pavarur së shpejti, nga këndvështrimi i shumë izraelitëve, koha më e mirë për këtë do të ishte “kurrë”, por synimi, sipas burimeve diplomatike, është që të fuqizohen zërat moderuar në të dyja anët, si tek izraelitët ashtu edhe tek palestinezët. Shpresa e britanikëve është se ata mund të tundin këtë kategori njerëzish për të besuar se paqja ende mund të jetë e mundur.
Por kjo nuk do të jetë aspak e lehtë, jo vetëm për shkak të mënyrës se si Hamas vrau rreth 1200 persona, përfshirë qindra civilë izraelitë dhe mori pengje më 7 tetor 2023, ndjekur nga një përgjigje hakmarrëse e Izraelit që ka vrarë dhjetëra mijëra civilë dhe ka lënë Gazën në rrënoja.
Gjithashtu, sepse çdo përpjekje për paqe ka dështuar. Negociatat e viteve ’90 përfunduan në gjakderdhje, dhe çdo përpjekje për t’i ringjallur ato ka dështuar më pas.
Reagimi i Izraelit erdhi vetëm pak minuta pasi Keir Starmer përfundoi fjalimin e tij në Downing Street. Më vonë gjatë mbrëmjes, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu postoi një deklaratë të ashpër në rrjetet sociale:
“Starmer shpërblen terrorizmin monstruoz të Hamasit dhe ndëshkon viktimat e tij. Një shtet xhihadist në kufi me Izraelin SOT do të kërcënojë Britaninë NESËR. Tolerimi ndaj terroristëve xhihadistë gjithmonë dështon. Do të dështojë edhe për ju. Kjo nuk do të ndodhë.”
Netanyahu mohon që Izraeli ka shkaktuar urie dhe katastrofë në Gaza. Por, nëse ai do të kishte pranuar kushtet e Britanisë për një shtyrje të njohjes, qeveria e tij do të shpërbëhej, pasi ai varet nga mbështetja e ekstremistëve ultranacionalistë, të cilët duan të aneksojnë territoret e pushtuara dhe të dëbojnë palestinezët, jo t’u japin atyre pavarësi.
Megjithatë, Netanyahu nuk është i burgosur i këtyre aleatëve. Ai e ka ndërtuar karrierën duke kundërshtuar zgjidhjen me dy shtete, idenë se paqja mund të ndërtohet përmes krijimit të një shteti palestinez të pavarur pranë Izraelit. Vetëm pak javë më parë, ai deklaroi se një shtet palestinez do të ishte një “platformë lufte” për sulme të tjera si ajo e 7 tetorit.
Netanyahu shpreson në mbështetjen e fortë të SHBA-ve. Qëndrimi zyrtar i Washington-it është se njohja e një shteti palestinez tani do të përbënte shpërblim për terrorizmin e Hamasit. Presidenti Donald Trump, teksa kthehej në SHBA pas pushimeve të tij në Skoci, u tha gazetarëve se ai nuk e mbështet vendimin e Britanisë.
Çështja e sovranitetit palestinez mund të bëhet një tjetër faktor që thellon përçarjen në marrëdhëniet transatlantike.
Deri para pak javësh, Keir Starmer nuk ishte i bindur se koha për njohjen kishte ardhur. Por pamjet e fëmijëve palestinezë në Gaza që vdisnin nga uria ishin pika e fundit pas gjithë atij shkatërrimi dhe gjakderdhjeje. Qëndrimet në Downing Street dhe në Ministrinë e Jashtme, por edhe në Partinë Laburiste dhe në opinionin publik britanik, u ashpërsuan ndjeshëm.
Vendimi i Britanisë për t’iu bashkuar Francës në njohjen e shtetit palestinez është një tjetër sinjal i izolimit në rritje diplomatik të Izraelit. Dy nga aleatët më të rëndësishëm perëndimorë të Izraelit, Britania dhe Franca, të dy anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kanë injoruar përpjekjet e Izraelit për të bllokuar njohjen e Palestinës përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator.
Në New York, menjëherë pas deklaratës së Starmer, ministri i Jashtëm britanik David Lammy u prit me duartrokitje të mëdha kur njoftoi vendimin e Britanisë në konferencën e OKB-së për zgjidhjen me dy shtete dhe njohjen e Palestinës.
Ai hodhi poshtë pretendimet se një shtet palestinez do të ishte kërcënim për sigurinë e Izraelit.
“Nuk ka asnjë kontradiktë mes mbështetjes për sigurinë e Izraelit dhe mbështetjes për shtetin palestinez. Përkundrazi, ato shkojnë dorë për dore”, deklaroi ai.
“Të jemi të qartë: refuzimi i zgjidhjes me dy shtete nga qeveria Netanyahu është i gabuar – është gabim moralisht dhe gabim strategjikisht.”
Një zyrtar britanik tha se atmosfera ishte elektrizuese, teksa Lammy i tha delegatëve se njoftimi i Britanisë po bëhej “me dorën e historisë mbi supe”. Më pas, ai foli për të shkuarën perandorake të Britanisë në Palestinë – një e kaluar e lidhur ngushtë me rrënjët e konfliktit midis hebrenjve dhe arabëve për kontrollin e tokës që dikur e sundonte Londra.
Britania e pushtoi Jerusalemin nga Perandoria Osmane në vitin 1917 dhe e kontrolloi Palestinën deri në vitin 1948, kur e lodhur dhe pa zgjidhje për luftën e përgjakshme mes arabëve dhe hebrenjve, ia dorëzoi përgjegjësinë OKB-së dhe u tërhoq. Menjëherë më pas, kryeministri i parë i Izraelit, David Ben Gurion, shpalli pavarësinë dhe Izraeli mundi ushtritë arabe pushtuese.
Në OKB, David Lammy kujtoi si ish-sekretari i Jashtëm britanik Arthur Balfour kishte firmosur më 1917 një letër ku premtonte se Britania do të mbështeste krijimin e një “atdheu kombëtar për popullin hebre në Palestinë”. Por ajo që njihet si Deklarata Balfour parashikonte gjithashtu që “të mos dëmtohen të drejtat civile dhe fetare të komuniteteve jo-hebreje në Palestinë.” Fjala “arab” nuk përmendej, por ishte e nënkuptuar.
Lammy tha se Britania mund të ndihet krenare për rolin e saj në krijimin e Izraelit, por gjithashtu shtoi se premtimi ndaj palestinezëve nuk është mbajtur, dhe se kjo “është një padrejtësi historike që vijon ende sot”.
Premtimet e kundërta të Britanisë ndezën dhe formësuan konfliktin. Një udhëtar në kohë që do të shkonte në Palestinën e viteve 1920 do të gjente tensionin dhe dhunën pothuajse identike me ato të sotme.
Sot, mënyra se si Britania shpreson t’i japë fund mjerimit në Gaza, të sjellë paqen në Lindjen e Mesme dhe të përmirësojë padrejtësinë historike që përmendi Lammy, është përmes ringjalljes së zgjidhjes me dy shtete.
Konferenca në New York, e kryesuar nga Franca dhe Arabia Saudite, prodhoi një dokument shtatëfaqësh për të rindërtuar rrugën drejt paqes, që përfshin edhe një dënim të qartë nga shtetet arabe për sulmet e Hamasit më 7 tetor ndaj Izraelit.
Dritarja për paqen përmes zgjidhjes me dy shtete dukej e mbyllur prej kohësh, që nga dështimi i procesit të paqes që nisi me shpresë në vitet 1990.
Vendimi i Britanisë për të njohur Palestinën është një levë diplomatike për të tentuar hapjen e saj sërish.
Shkrim nga Jeremy Bowen, në BBC