Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar rezolutën “Paqe në Ukrainë” në përvjetorin e tretë të nisjes së konfliktit mes Kievit dhe Moskës. Rezoluta, e cila dënon agresionin rus, u mbështet nga shumica e vendeve anëtare, përfshirë edhe Shqipërinë, e cila votoi pro.
Në total, 93 vende mbështetën rezolutën, 18 votuan kundër, ndërsa 65 të tjera abstenuan. Megjithatë, ajo që tërhoqi vëmendjen ishte përplasja mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, të cilat kundërshtuan formulimin e rezolutës për shkak të kritikave të ashpra ndaj Moskës. Ky votim duket se ka shkaktuar një tension të mëtejshëm mes SHBA-së dhe vendeve europiane, duke rikthyer ndasi të ngjashme me ato të kohës së luftës në Irak.
Nga ana tjetër, edhe pse SHBA dhe Rusia mbështetën një rezolutë tjetër për përfundimin e luftës dhe arritjen e paqes, kjo nismë nuk përfshinte ndonjë kritikë të drejtpërdrejtë ndaj Kremlinit.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, përfshirë “Reuters”, votimi në OKB reflekton një ndryshim të dukshëm në qasjen amerikane ndaj konfliktit në Ukrainë, pas ardhjes në pushtet të Presidentit Donald Trump. Në ndryshim nga administrata e mëparshme e Joe Biden, e cila udhëhoqi përpjekjet për të mbështetur Ukrainën në arenën ndërkombëtare, Trump ka shprehur synimin për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje mes dy vendeve.
Rezoluta e miratuar nga OKB bën thirrje për qetësimin e situatës dhe për një zgjidhje diplomatike të konfliktit, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të ndikojë ky vendim në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në ecurinë e luftës mes Ukrainës dhe Rusisë.