Një 45-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia e Durrësit, pasi dyshohet se një ditë më parë ka kanosur me armë zjarri një 38-vjeçar.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Durrës, si rezultat i hetimeve të kryera pas kallëzimit nga një 38-vjeçar, për një shtetas që e kishte kanosur me armë zjarri, arrestuan në flagrancë shtetasin:
-E. K., 45 vjeç, banues në Xhafzotaj.”, bëjnë me dije uniformat blu.
Sipas hetimeve paraprake, ngjarja ka ndodhur më 16 shkurt 2026, në zonën e njohur si “Kodra e Rrashbullit”, ku dy personat janë konfliktuar në rrugë. Gjatë përplasjes, 45-vjeçari dyshohet se ka kanosur 38-vjeçarin me një armë zjarri të llojit automatik.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e të arrestuarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan bërthamën e predhës së një fisheku luftarak, si dhe automjetin në cilësinë e provës materiale.
Policia vijon hetimet për gjetjen e armës së zjarrit, e cila dyshohet se është fshehur nga autori pas ngjarjes, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
