Deputetët e Kosovës u mblodhën edhe këtë të shtunë, 30 gusht, në përpjekje për të arritur konstituimin e Kuvendit.
Ashtu siç ishte parashikuar, deputetja nga radhët e komunitetit serb, Miljana Nikoliç nuk është votuar për postin e nënkryetares së pestë të Kuvendit. Ajo nuk mori asnjë votë në tre raundet e votimit. E njëjta gjë ndodhi edhe me Igor Simiç…
Dështimi për të zgjedhur njërin nga deputetët e hedhur në votim sot nënkupton se Kuvendi nuk ka më askënd nga pakica serbe për ta votuar për nënkryetar.
Edhe seanca e së enjtes, 28 gusht, u ndërpre pasi nënkryetari nga pakica serbe nuk arriti që të merrte vota. Gjatë kësaj seance nuk u zgjodh as Sllavko Simiçi, kandidati nga Lisa Serbe, e as Nenad Rashiç që nuk gëzon mbështetjen e kësaj liste.
Kujtojmë se më 26 gusht, pas një ngërçi të gjatë politik, u zgjodh kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha. Zgjedhja e tij është i vetmi hap pozitiv prej muajsh, për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re, megjithatë nuk kanë munguar polemikat.
Votimi pro me shumicë i Bashës si kryeparlamentar i Kosovës, nuk u prit mjaftueshëm mirë nga vetë partia Lëvizja Vetëvendosje, duke u pasuar me dorëheqjet e para nga poste të rëndësishme.
Vlen të theksohet se Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar Kuvendin të konstituohet brenda 30 ditësh, që nga 8 gushti, afat që ende nuk është zbatuar.
Pse hidhet shorti për nënkryetarët nga pakicat?
Ndryshe nga vitet e kaluara, kur për këta dy nënkryetarët nga pakica serbe dhe ato joserbe votohej në pako, këtë vit votimi është ndarë. Juristët vlerësojnë se një gjë e tillë është antikushtetuese, por se për ta konfirmuar këtë dikush duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
Përfaqësuesja e komuniteteve të tjera joserbe, Emilija Rexhepi, u zgjodh nënkryetare e Kuvendit. Por, procesi ngeci kur erdhi puna te zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb.
Lista Serbe, e cila në Kuvend ka 9 nga 10 vendet e rezervuara për serbët, këmbënguli ta propozonte Sllavko Simiçin. Megjithatë, ai nuk arriti të siguronte 61 votat e nevojshme as pas tre raundeve të votimit.
Pasi Lista Serbe nuk pranoi të propozonte dikë tjetër për nënkryetar, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, vendosi të hidhte short, sipas Rregullores së punës së Kuvendit, për të nxjerrë një emër tjetër nga komuniteti serb. Përveç disa deputetëve të tjerë të Listës Serbe, për këtë post u propozua edhe Nenad Rashiç nga partia serbe Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, aktualisht ministër në detyrë në qeverinë e Albin Kurtit.
As Rashiç nuk i mori votat e nevojshme kur u hodh në votim dy herë.
Rregullorja parashikon që “kandidati për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb propozohet nga shumica e deputetëve të komunitetit serb”. Ndërkohë, Kushtetuta e Kosovës thotë se nënkryetari “do të jetë nga radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara të komunitetit serb”.
