Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosi që mandati i vetëm që fitoi Nisma Shqipëria Bëhet në zgjedhjet e 11 majit, t’i kalojë Ana Dajkos.
Ajo ishte e renditur e para në listën e mbyllur të koalicionit në Tiranë.
Në këtë mënyrë KAS vendosi rrëzimin e pjesshëm të kërkesës ankimore të Lëvizjes Shqipëria Bëhet, e cila donte që mandati t’i kalojë Adriatik Lapajt. Më herët, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ia kishte kaluar mandatin kushërirës së Lapajt, Kleana Xhuvanit.
Relatori i kësaj ankese, Elvis Çefa, sqaroi se dorëheqja më 11 maj e kandidatëve në listën e mbyllur të koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet është “nul” dhe nuk mund të merret në konsideratë.
“Për rrjedhojë subjekti nuk mund të presë të miratojë një ligj që është nul. Në këto kushte ky akt nuk krijon asnjë pasojë juridike sepse heqja dorë nga kandidimi do të thotë në vetvete prishjen e listës së kandidaimit të atij subjekti zgjedhor, e cila pasojë ligjore ka ndalimin e konkurrimit të atij subjekti në zgjedhje, cka në këtë moment që është zgjedhur të bëhet si strategji politike nga ana juaj është i pamundur si proces”, tha Çefa.
Kujtojmë se çështja e mandatit të vetëm të Nismës Shqipëria Bëhet krijoi përplasje mes drejtuesve të koalicionit, Endrit Shabanit të Nismës Thurje dhe Adriatik Lapajt të Lëvizjes Shqipëria Bëhet.