Sot, 30 gusht, është zhvilluar seanca në Gjykatën e Posaçme AntiKorrupsion (GJKKO) për masën e sigurisë ndajpunonjësve të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) të përfshirë në një rast ryshfeti në Tiranë.
Gjyqtarja Etleva Deda i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” inspektorit G.F, me kërkesë të prokurorit të SPAK, Sotir Kllapi. Gjatë seancës me dyer të mbyllura, inspektori ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me episodin e korrupsionit.
“Nuk e njoh qytetarin, nuk kam pasur kontakt apo takim me të, dhe nuk kam dijeni për ryshfetin. Deklaroj me përgjegjësi morale dhe ligjore se nuk kam lidhje me këtë rast. Detyrën time e ushtroj me seriozitet dhe profesionalizëm, si në dhjetëra raste të tjera për lirimin e hapësirave publike“, mësohet të ketë thënë ai para togave të zeza.
Avokatët e tij kanë kërkuar një masë më të butë sigurie, deri në qartësimin e plotë të situatës dhe rrethanave.
Rasti u zbulua pas një denoncimi nga pronari i një objekti në zonën e Kombinatit, ku ishte konstatuar një tendë pa leje. Sipas hetimeve, pas procedurës fillestare, një nga punonjësit i ka kërkuar pronarit 1 mijë euro ryshfet për të mos prishur tendën.
Policia organizoi një operacion për të kapur katër të dyshuarit dhe i dha pronarit paratë me numër serie, për të dokumentuar ryshfetin. Dy punonjësit me inicialet G.F dhe K.Zh tentuan t’i fshehnin paratë në një lokal, ku policia vëzhgoi veprimet përmes kamerave.
Shtetasi G.F u arrestua më 27 gusht, ndërsaK.Zh është vetëdorëzuar në polici dje, 29 gusht.
“Në vijim të operacionit policor të koduar “Hapësira publike”, specialistët e Sektorit për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare bënë ndalimin e shtetasit K. Zh., 35 vjeç, banues në Tiranë, inspektor i IMT, bashkia Tiranë, i cili u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Hapësira publike”, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, të kryera në bashkëpunim”, njofton Policia.
Të dy inspektorët dyshohen për veprën penale të korrupsionit pasiv, ndërsa nën hetim janë edhe dy punonjës të tjerë të IMT-së.
Masa për inspektorin K.ZH, do të caktohet në një seancë tjetër.
“Nga hetimet e kryera dyshohet se këta shtetas, gjatë kontrolleve në subjekte (lokale), për evidentimin dhe lirimin e hapësirave publike të zëna në kundërshtim me ligjin, iu kanë kërkuar para pronarëve të subjekteve, që të mos i hiqnin çadrat/tendat që zinin hapësirat publike përreth subjekteve. Gjatë operacionit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3 000 euro dhe 27 000 lekë, që dyshohet se janë përfituar nga korrupsioni aktiv i punonjësve të IMT, një automjet tip ‘Audi A6’ si dhe 4 celularë. Punohet për kapjen e shtetasit K. Zh. dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjme”, ka njoftuar Policia më herët.
Inspektorët janë shkarkuar nga detyra menjëherë pas finalizimit të operacionit policor. IMT ka reaguar më 27 gusht, përmes një deklarate zyrtare ku i cilësonte sjelljet e inspektorëve të papranueshme.
“Nga ngjarja e ndodhur ditën e sotme, ku katër punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit kanë shkelur rëndë ligjin, bëjmë me dije opinionin publik se institucioni ynë e dënon me vendosmëri këtë rast. Sjellje të tilla janë të papranueshme dhe IMT distancohet plotësisht nga këto veprime individuale”, thuhej në reagimin e IMT-së.