Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, si dhe deputetët Luçiano Boçi, Xhelal Mziu dhe Aurel Bylykbashi u përplasën me efektivë të Policisë në kryqëzimin e Rrugës së Elbasanit, ndërsa u kërkuan të mos qëllonin ndaj protestuesve.
Noka bëri të ditur se forcat e Policisë kanë goditur edhe kreun e PD-së, Sali Berisha, në sy.
“Turp! Keni marrë urdhër dhe keni goditur liderin e opozitës. Është filmuar gjithçka dhe do të paguhet shtrenjtë. Ju nuk jeni shërbëtorë të ligjit, por mercenarë të krimit të organizuar”, tha Noka, duke kërkuar largimin e policëve.
Ai u bëri thirrje drejtuesve të policisë të largojnë policët dhe të lënë protestën të vijojë.
Protesta e PD-së ka vijuar me tensione në kryeqytet, ku janë hedhur molotovë dhe fishekzjarre drejt godinave të institucioneve, ndërsa policia ka reaguar me ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.








