Vendimi i Kanadasë për të njohur shtetin e Palestinës nuk është pritur mirë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Në një postim në rrjetet sociale, ai tha se do të jetë “shumë e vështirë” që të arrihet një marrëveshje tregtare me Otavën pas këtij vendimi të kryeministrit Mark Carney.

Kërcënimi i Trump-it vjen vetëm një ditë para se të hyjnë në fuqi tarifat më të larta për vendet që nuk kanë një marrëveshje tregtare me SHBA-të.
Nëse nuk arrihet një marrëveshje sot, nga e premtja Kanadaja do të përballet me tarifa 35% për shumicën e mallrave që eksporton drejt SHBA-ve.
Vendimi i Kanadasë për të njohur shtetin palestinez pason njoftime të ngjashme nga Britania dhe Franca, ndërsa kriza e urisë në Gaza thellohet.
Të mërkurën, Ministria e Shëndetësisë e kontrolluar nga Hamasi raportoi edhe shtatë viktima të tjera nga kequshqyerja.
Më herët gjatë javës, Trump kishte deklaruar se në Gaza po ndodh një “uri e vërtetë” dhe se ai po bashkëpunon me Izraelin për ta “rregulluar situatën”.
I dërguari i posaçëm amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, pritet të takohet sot me zyrtarë izraelitë.