Me një zemër të thyer dhe lot në sy, Ariana Grande ndau me ndjekësit një nga humbjet më të mëdha të jetës, ndarjen nga jeta të gjyshes së saj të shtrenjtë, Marjorie Grande, e njohur për miliona fansa si “Nonna”.
Një figurë e dashur jo vetëm për familjen, por edhe për publikun që kishte mësuar ta donte për shpirtin e saj të butë dhe përkushtimin ndaj mbesës që e quante “krenaria ime”.
Marjorie Grande u nda nga jeta në moshën 99-vjeçare e rrethuar nga dashuria e familjes, duke lënë pas një trashëgimi të paharrueshme dashurie, force dhe kujtimesh të çmuara. Në një deklaratë prekëse, Ariana shkroi: “Jemi të shkatërruar…”, duke shprehur dhimbjen që vetëm ata që kanë dashur me gjithë shpirt mund ta kuptojnë.
Por edhe në largimin e saj, Nonna la një shenjë të përjetshme, në muzikë, në kujtime, dhe mbi të gjitha, në zemrën e mbesës së saj të adhurur, që kurrë nuk e fshehu dashurinë e madhe për të.
Marjorie Grande ishte gjyshja nga nëna e fitueses së çmimeve Grammy. Vëllai i saj, Frankie Grande, bëri gjithashtu një homazh prekës në Instagram: “Të dua pafundësisht, Nonna ime e ëmbël.”
“Më mungon më shumë sesa mund të shprehin fjalët. Zemra më është thyer, por e ndiej që më sheh nga lart, tashmë krenare për gjithçka që kam bërë dhe për gjithçka që do të vijë,” shtoi ai. “Faleminderit për çdo moment, çdo mësim, çdo përqafim, çdo të qeshur me shpirt.”
Bashkëshorti i Marjorie-s, Frank, një veteran me të cilin ajo ishte njohur që në moshën 11-vjeçare, kishte ndërruar jetë në vitin 2014, në moshën 90-vjeçare, sipas një videoje në kanalin e YouTube të Ariana Grande.
“Gjyshërit e mi ishin njerëz të jashtëzakonshëm,” kishte thënë Ariana Grande në emisionin “The Drew Barrymore Show” vitin e kaluar.
Ajo njihej për marrëdhënien e ngushtë që kishte me gjyshen, e cila e kishte shoqëruar në disa evente publike gjatë viteve dhe madje kishte marrë pjesë edhe në një nga këngët e albumit të vitit 2024, “Eternal Sunshine”.
Në mars 2024, Nonna e Ariana-s hyri në histori si artistja më e moshuar ndonjëherë që ka hyrë në Billboard Hot 100, në moshën 98-vjeçare. Ajo ishte e ftuar në këngën “Ordinary Things”, e cila debutoi në vendin e 55-të të klasifikimit.
Ariana gjithashtu ndau magjinë e filmit “Wicked” me Nonna-n vitin e kaluar, kur bëri një ndalesë në qytetin e saj të lindjes, Boca Raton, për të parë filmin me të. Ajo luan rolin e Glinda-s, Shtrigës së Mirë, në filmat e “Wicked”.