Një vit pas arrestimit të tij për dosjen e bujshme CEZ-DIA dhe aferën e lobimit në SHBA, Ilir Meta rikthehet në dyert e Gjykatës së Posaçme me një tjetër përpjekje për të lënë qelinë.
Ish-presidenti dhe kreu i Partisë së Lirisë ka kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, por kjo kërkesë vjen në një kohë kur të gjitha shkallët e drejtësisë i kanë refuzuar më parë lirinë.
Së fundmi, më 17 tetor, edhe Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Metës, duke konfirmuar mbajtjen e tij në burg, ndërsa hetimet ndaj tij janë mbyllur nga SPAK prej muajsh.
Prokuroria e Posaçme akuzon Metën për tre vepra penale të rënda: korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë, akuza që lidhen me disa çështje të përfshira në një dosje të vetme.
Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit 2024, ndërsa SPAK ka dërguar dosjen për gjykim në fund të gushtit të këtij viti, raporton për Klan News, gazetarja Glidona Daci.
Çështja aktualisht ndodhet në fazën paraprake dhe do të jetë gjyqtarja Irena Gjoka ajo që do të vendosë, nëse rasti do të kalojë në gjykim të plotë apo jo.
Në të njëjtën dosje hetimore janë të përfshirë edhe emra të tjerë të njohur. Ish-bashkëshortja e Metës, Monika Kryemadhi, akuzohet për pastrim parash, ndërsa Pirro Xhixho për korrupsion pasiv në bashkëpunim. Po ashtu, edhe Fatime Kryemadhi dhe Ema Çoku përballen me akuza për pastrim parash.
Megjithëse kërkesat për lirim janë refuzuar njëri pas tjetrit, Meta vijon betejën ligjore për të ndryshuar masën e sigurisë.