Një lidhje që dikur ishte e mbushur me ndjenja përfundoi në mënyrën më të dhimbshme për Anila Ndoka Prendushin, e cila ndërroi jetë gjashtë ditë pas një sulmi të dhunshëm nga partneri i saj. Pas një përpjekjeje të gjatë nga mjekët për ta mbajtur në jetë, 44-vjeçarja ndërroi jetë mëngjesin e së martës në spitalin rajonal të Shkodrës, si pasojë e një plage me armë zjarri në kokë.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 18 shkurt, kur Kolë Manaj, 34 vjeç, me të cilin Anila bashkëjetonte prej pesë vitesh, vendosi t’i jepte fund gjithçkaje në mënyrën më tragjike. Sipas burimeve, marrëdhënia e çiftit ishte përkeqësuar kohët e fundit, duke çuar në konflikte dhe diskutime për ndarje. Ditën e ngjarjes, Manaj e kishte pritur 44-vjeçaren pranë vendit të saj të punës dhe e kishte ftuar në makinë për të biseduar. Në kulmin e debatit, i rënduar psikologjikisht, ai nxori armën dhe e qëlloi Anilën në kokë, përpara se të kryente vetëvrasje.
E plagosur rëndë, gruaja, e cila ishte nënë e tre fëmijëve nga një martesë e mëparshme, u transportua menjëherë në spital, ku qëndroi në gjendje kritike për jetën. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ajo nuk mundi t’i mbijetonte plagës fatale.
Hetimet vazhdojnë për të zbardhur rrethanat e sakta të kësaj tragjedie që ka tronditur opinionin publik, duke ngritur edhe një herë shqetësimin për dhunën në marrëdhëniet në çift dhe pasojat e saj tragjike.