Në javën e katërt të një konflikti që ka përfshirë disa shtete, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë hedhur hapin e parë drejt një zgjidhjeje të negociuar. Sipas zyrtarëve të lartë të cituar nga mediat ndërkombëtare, administrata Trump i ka dorëzuar Teheranit një plan prej 15 pikash që synon dhënien fund të luftës.
Plani, i cili mbetet konfidencial në detajet teknike, fokusohet në tre shtylla kryesore.
Tre shtyllat e planit amerikan për Iranin:
- Programi bërthamor dhe raketor
- Siguria detare
- Stabiliteti rajonal
Uashingtoni kërkon garanci dhe ndalimin e pasurimit të uraniumit, pas sulmeve të shkurtit që shënjestruan impiantet e prodhimit të raketave balistike iraniane.
Propozimi adreson zhbllokimin e Ngushticës së Hormuzit. Bllokada aktuale ka paralizuar furnizimin me naftë dhe gaz, duke çuar çmimet në nivele rekord në bursat botërore.
Plani synon krijimin e një kornize ku Irani të mos përbëjë më kërcënim për fqinjët arabë dhe Izraelin.
Figura kyçe e këtij procesi ka dalë Shefi i Ushtrisë pakistaneze, Field Marshal Syed Asim Munir. I vlerësuar nga Presidenti Trump si një ndërmjetës i besueshëm, Munir po shërben si urë lidhëse mes Shtëpisë së Bardhë dhe lidershipit iranian. Pakistani është ofruar zyrtarisht të jetë mikpritës i bisedimeve direkte mes palëve.
Mbetet e paqartë nëse Izraeli është plotësisht dakord me këtë plan, ndërkohë që Tel Avivi ka paralajmëruar se operacionet mund të zgjasin edhe për disa javë të tjera.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, konfirmoi se negociatat vijojnë, por theksoi se operacioni “Tërbimi epik” do të vazhdojë deri në arritjen e objektivave ushtarake të Pentagonit. Nga ana tjetër, një zëdhënës ushtarak iranian ka deklaruar se SHBA-të po negociojnë me veten, ndërsa shtoi se nuk do të bien kurrë dakord me administratën e Trump.
Teherani ka hedhur poshtë deklaratën e Trump se ka nisur negociatat.
