Kanë nisur këtë të hënë në orën 10:00 në ambientet e Universitetit të Arteve të Bukura homazhet në nder të gazetarit dhe publicistit të njohur, Artur Zheji.
“Kanë nisur homazhet që në orën 10:00. Familjarët janë brenda sallës kryesore të Universitetit të Arteve, ndërkohë që kanë ardhur dhe personat e parë që po i japin lamtumirën gazetarit dhe publicistit të njohur z.Zheji, i cili u shua para kohe nga kjo jetë të shtunën 23 gushtit”.
Është zgjedhur pikërisht ky universitet për ceremoninë e homazheve për shkak se aty Zheji ka përfunduar studimet për regjisurë dhe sepse aty ka kaluar një pjesë të mirë të jetës së tij.
“Artur Zheji ishte ai personalitet i dimensioneve të jashtëzakonshme, nuk flas në prerjen politike të çështjes apo si një analist i jashtëzakonshëm që ishte në television dhe në media, sepse kjo dihet nga të gjithë, por unë do thoja që Arturi ishte një artist i madh në shpirt me një ndjeshmëri të jashtëzakonshme. Një erudit i përmasave të mëdha. Unë i kam dhënë mësim. Në atë kurs unë leksionet i përgatisja për të më shumë sepse ai ishte një erudit, dinte gjithçka.”
Në fund shton: “Kam patur një miqësi të madhe me të. Zoti e rrëmbeu nga ne. Iku shumë shpejt.”
Gazetari, analisti dhe ish-drejtori i përgjithshëm i ATSH-së, Artur Zheji u nda dje nga të shtunën në moshën 64-vjeçare, në qytetin e Sarandës, ku ndodhej për pushime së bashku me familjen.
Zheji njihej si një nga figurat e spikatura në gazetari dhe publicistikë.
Me një karrierë të gjatë në media, Zheji u bë një nga zërat dhe penat më të spikatur të gazetarisë dhe debatit publik në Shqipëri. Ai ka shërbyer në funksione drejtuese në disa media, në Radio Televizionin Shqiptar dhe Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH).
Për vite me radhë, Zheji do të jepte kontributin e tij si analist, drejtues emisioni, por edhe si editorialist dhe komentues politik, duke lënë gjurmë në mendimin mediatik shqiptar.