Autoriteti i Konkurrencës nisi proces monitorimi të posaçëm në tregun e mallrave të shportës, që do të vijojë deri më 15 janar, me fokus të veçantë periudhën e festave të fundvitit.
Qëllimi i këtij monitorimi është verifikimi i ecurisë së çmimeve dhe i sjelljes së ndërmarrjeve përgjatë zinxhirit të furnizimit dhe tregtimit, me synim parandalimin e çdo rritjeje të pajustifikuar të çmimeve si pasojë e bashkërendimit të sjelljes tregtare apo e marrëveshjeve të ndaluara ndërmjet distributorëve, tregtarëve me shumicë dhe rrjeteve të supermarketeve.
Monitorimi përfshin mallrat bazë të shportës së konsumatorit, konkretisht: makarona, oriz, miell, vezë, sheqer, vaj ushqimor dhe pije joalkolike.
Autoriteti i Konkurrencës thekson se çdo marrëveshje apo praktikë e bashkërenduar që ka si objekt ose pasojë shtrembërimin e konkurrencës, veçanërisht përmes rritjes së çmimeve në dëm të konsumatorëve, përbën shkelje të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” dhe do të trajtohet me seriozitet maksimal.
Në këtë kuadër, Autoriteti i Konkurrencës u bën thirrje të gjitha ndërmarrjeve që operojnë në tregjet përkatëse të respektojnë rregullat e konkurrencës së ndershme dhe të shmangin çdo sjellje që mund të cenojë funksionimin normal të tregut.
Autoriteti i Konkurrencës do të vijojë ndjekjen nga afër të zhvillimeve në treg dhe do të informojë publikun për çdo gjetje apo masë që do të ndërmerret në përfundim të këtij monitorimi.
