9 nëntori është një ndër datat më të rëndësishme të historisë së re gjermane. Një ditë, me të cilën gjermanët sjellin në kujtesë tmerrin dhe gëzimin, që nga nata e pogromit 1938 e deri tek rënia e Murit të Berlinit 1989.
Më 9 nëntor Gjermania feston 35 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit. Një ngjarje që ndryshoi botën. Një vit më vonë, më 3 tetor 1990, Gjermania u ribashkua pas 41 vitesh ndarjeje. Me rrëzimin e diktaturës së dytë në tokën gjermane, u zhduk nga harta politike kampi real-socialst në Evropë. Konflikti Perëndim-Lindje përfundoi. 9 nëntori 1989 shënon një ditë me rëndësi të veçantë për historinë e Gjermanisë dhe të Evropës.
Por në kalendarin historik gjerman 9 nëntori ka luajtur një rol të rëndësishëm edhe në epoka të tjera: Më 9 nëntor 1918 socialdemokrati Philipp Scheidemann, deklaroi se Gjermania ishte tashmë Republikë.
Më 9 nëntor 1923 në Mynih qindra nacionalsocialistë (nazistë) vërshuan drejt ndërtesave shtetërore në një përpjekje për puç. Udhëheqësi i tyre ishte Adolf Hitler, i cili 10 vite më vonë do të merrte në mënyrë totalisht ligjore pushtetin në Gjermanidhe do të shkaktonte krizën më të madhe në histori: Luftën e Dytë Botërore
Gjatë kësaj lufte hebrejtë u luftuan sistematikisht, deri sa në vitin 1942 filloi makineria për asgjësimin e plotë të tyre. Më 9 nëntor 1938, pra para fillimit të Luftës, në mbarë Gjermaninë iu vu zjarri sinagogave, dyqanet e hebrejve u shkatërruan pothuajse të gjitha. Rreth 100 njerëz u vranë, 26.000 të tjerë u deportuan në kampe përqendrimi. 9 nëntori 1938 është data më e tmerrshme në radhën e ditëve historike gjermane.
Një kontrast gjigant ishte 9 nëntori 1989, dita e rënies së Murit të Berlinit. “E pabesueshme” ishte fjala që dëgjohej më shpesh atë natë, kur qytetarëve iu hapën krejt papritur kufijtë. Pas kësaj nate nuk kishte më kthim pas. E çara e parë në Murin e Berlinit solli shembjen e plotë të sistemit të sëmurë. Data 9 nëntor shkruajti për herë të katërt histori gjermane – por këtë radhë histori të mrekullueshme.