Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka kërkuar Gjykatës Supreme të rrëzojë vendimin që shpalli të paligjshme shumë prej tarifave të tij të gjera tregtare. Në një peticion të depozituar mbrëmjen e së mërkurës, 3 shtator, administrata e Trump kërkoi që gjyqtarët të ndërhyjnë me shpejtësi për të konfirmuar se presidenti ka kompetencën të vendosë taksa doganore mbi importet nga vendet e huaja.

Javën e kaluar, një Gjykatë federale e Apelitnë SHBA me shumicë votash vendosi se tarifat e vendosura nga Trump përmes Aktit të Fuqive Ekonomike të Emergjencës Ndërkombëtare (IEEPA) nuk përfshinin mandatin e presidentit, duke theksuar se përcaktimi i doganave është një “kompetencë e Kongresit”.

Ky vendim rrezikon të përmbysë axhendën ekonomike dhe të politikës së jashtme të Trump, si dhe të detyrojë SHBA-të të kthenë mbrapsht miliarda dollarë të mbledhura nga tarifat.

Në prill, Trump shpalli emergjencë ekonomike, duke argumentuar se disbalancat tregtare kishin dëmtuar prodhimin vendas dhe kishin cenuar sigurinë kombëtare. Megjithëse Gjykata e Apelit vendosi kundër tij, ajo e shtyu hyrjen në fuqi të vendimit për t’i dhënë administratës kohë për apel.

“Rreziku në këtë çështje nuk mund të jetë më i madh”, tha prokurori i përgjithshëm John Sauer. Ai paralajmëroi se ai vendim “ka prishur negociata delikate tregtare dhe ka hedhur një hije pasigurie ligjore mbi përpjekjet e presidentit për të mbrojtur vendin nga një krizë e paparë ekonomike dhe diplomatike”.

Nëse Gjykata Supreme refuzon të marrë në shqyrtim rastin, vendimi i Apelit do të hyjë në fuqi më 14 tetor. Përveç çështjes së fundit, më herët Gjykata Ndërkombëtare e Tregtisë në New York i kishte shpallur tarifat të paligjshme, por edhe ai vendim u pezullua gjatë procesit të apelimit.

Në prill, Trump firmosi urdhra ekzekutivë që vendosnin një tarifë bazë prej 10%, si dhe tarifa “reciproke” për të korrigjuar disbalancat tregtare ndaj më shumë se 90 vendeve. Po ashtu, tarifat u vunë edhe për Kanadanë, Meksikën dhe Kinën, me arsyetimin se duheshin për të ndaluar importin e drogës.