Raketat e Izraelit kanë vrarë gjatë natës të paktën 19 persona në Gaza. Në mediat e huaja raportohet se shumica e viktimave janë fëmijë, përfshirë edhe një foshnje vetëm një javëshe.
“Kemi transportuar trupa të pajetë e dhjetëra të tjerë të plagosur në zona të ndryshme të Rripit të Gazës”, bën me dije zëdhënësi i mbrojtjes civile të Gazës Mahmud Bassal.
Këto sulme vijnë në një kohë kur ndërkombëtarët bëjnë thirrje të vazhdueshme ndaj Izraelit për të ndalur bombardimet e po ashtu për të çuar ndihma ushqimore në Gaza. Jo më larg se të Martën, OKB ngriti shqetësimin për 48 orët që vijnë, ku rrezikohet jeta e 14 mijë foshnjeve.
Izraeli ka bllokuar hyrjen e ndihmave mjekësore, ushqimore dhe të karburantit në Gaza që nga fillimi i muajit Mars me qëllim për t’i bërë presion Hamasit të lirojë pengjet.