Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpalli sot fajtor të pandehurin Ylli Barutin për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Vendimi u mor nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Engjëllushe Tahiri, Besmir Stroka dhe Etleva Deda.
Ylli Baruti u dënua me 1 vit e 6 muaj burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, u dënua përfundimisht me 1 vit burgim.
Gjithashtu GJKKO vendosi pezullimin e ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim për të pandehurin Ylli Baruti dhe vënien e tij në provë për një periudhë prej 2 vitesh, dyfishi i masës së dënimit.
GJKKO urdhëroi që i pandehuri Ylli Baruti të mbajë kontakte me Zyrën Vendore të Shërbimit të Provës, të mos shoqërohet me persona të dënuar.
Kundër vendimit mund të bëhet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, duke filluar afati nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar të gjykatës.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, në bashkëpunim me njëri tjetrin, shtetasit Dritan Stoka, Agim Osma, Alqi Hajdini dhe Ylli Baruti, kanë ndikuar në pajisjen me leje legalizimi të ndërtimeve pa leje për disa shtetas, sipas përgjimeve të bisedave telefonike. Veprimet sipas SPAK janë kryer gjatë fushatës elektorale për zgjedhjeve vendore të vitit 2019.
Ata kanë kërkuar nga persona të ndryshëm përgatitjen e listave të zgjedhësve duke i detyruar për të votuar ose duke përcaktuar mënyrën e votimit, kundrejt përfitimeve të parregullta; qëndrimin në punë apo edhe nxjerrjen e lejeve të legalizimit për ndërtimet informale të votuesve në zonën e Saukut Tiranë.
