Harris ok

Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, e kritikoi ish-presidentin Donald Trump si njeri të paqëndrueshëm dhe të fiksuar pas hakmarrjes, gjatë një tubimi zgjedhor në vendin afër Shtëpisë së Bardhë ku, më 6 janar 2021, Trump iu drejtua mbështetësve të vet para se ata ta sulmonin Kapitolin.

Duke folur në Uashington më 29 tetor, një javë para ditës së zgjedhjeve presidenciale, Harris, kandidatja demokrate për zgjedhjet e 5 nëntorit, e dha atë që fushata e saj e quajti “mesazh përmbyllës” në një skenë të mbushur me shenja të mëdha ngjyrë qielli, me mbishkrimin “Liri”.

Harrisi u zotua se do të jetë “presidente për krejt amerikanët”, ndërsa e quajti kundërshtarin e vet republikan “të paqëndrueshëm, të fiksuar pas hakmarrjes dhe të pakontrollueshëm”.

Organizatorët thanë se rreth 75.000 njerëz morën pjesë në tubim, edhe pse ky numër nuk u verifikua nga policia apo vëzhguesit e pavarur.

Para fjalimit të Harrisit, Trumpi dhe fushata e tij u përpoqën t’i kufizojnë dëmet, duke e mohuar një shaka denigruese për Porto Rikon që e kishte bërë një komedian në skenë para se Trumpi të paraqitej në një tubim në Nju Jork gjatë fundjavës. Disa prej aleatëve të Trumpit e dënuan atë shaka, e cila iu referua territorit amerikan si “një ishull plehrash”.

Derisa fushata e tij tha se ajo shaka nuk pasqyron pikëpamjet e ish-presidentit, Trumpi e mbrojti atë gjatë tubimit, ku kishte edhe deklarata të tjera raciste dhe vulgare.

Trump nguli këmbë se Harrisi është ajo që ka përhapur urrejtje dhe përçarje, duke thënë se ajo ka kryer “një fushatë urrejtjeje”.

Më shumë se 50 milionë njerëz kanë hedhur tashmë votat e tyre para kohe, ose me postë, vetëm një javë para ditës së zgjedhjeve dhe sondazhet tregojnë se gara do të jetë jashtëzakonisht e ngushtë.

Harris, 60-vjeçare, do të bëhej presidentja e parë grua, ndërsa Trump, 78 vjeç, do të bëhej kandidati më i moshuar që zgjidhet president. Të dy dallojnë në një sërë çështjesh, nga mbështetja për Ukrainën dhe aleancën ushtarake të NATO-s, deri te emigracioni, të drejtat e abortit dhe taksat mbi të pasurit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights