Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj mblodhi sot Këshillin e Investimeve për të dialoguar mbi sfidat dhe pritshmëritë e sektorit privat në lidhje me ndikimin e rritjes së pagës minimale dhe rritjen e produktivitetit.
Tryeza e dialogut bëri së bashku përfaqësues nga sektori publik dhe privat për të eksploruar ndikimin e pritshëm në konkurrueshmëri dhe motivimin në punë.
Duke filluar nga 1 prilli, paga bazë minimale mujore, në shkallë vendi për punonjësit, e detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo person juridik apo fizik, vendas apo i huaj, është 40 mijë lekë.
Ndërkohë qeveria vendosi edhe subvencionimin e kostos shtesë për kontributet shoqërore për disa kategori biznesesh kryesisht në bujqësi, pyje, peshkim dhe industri agropërpunuesve.
Kjo masë e qeverisë i vjen në ndihmë bizneseve dhe numri i përfituesve përllogaritet rreth 30 mijë persona.