Një lajm i trishtë vjen mbrëmjen e kësaj të hëne, më 11 gusht, nga Spitali i traumës në Tiranë, ku ka ndërruar jetë i mituri që u aksidentua disa ditë më parë në vendin e quajtur “Qafa e Koshovicës”.
15-vjeçari ishte një nga katër personat që ndodheshin në automjetin që u përmbys dhe shpërtheu në flakë pas aksidentit të së premtes, rreth orës 20:00, në zonën e njohur si Qafa e Koshovicës në Fier.
Në këtë ngjarje, u shënua edhe një akt heroik. Efektivi i Policisë Klajdi Mustaj, vetëm 26 vjeç, rrezikoi jetën e tij për të shpëtuar katër personat nga automjeti në flakë. Falë guximit dhe reagimit të tij të menjëhershëm, të aksidentuarit arritën të nxirreshin nga mjeti përpara se të ishte tepër vonë. Në këtë gjest fisnik, ai mbeti i lënduar dhe vetë në këmbë.
Mirëpo fatkeqësisht, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë, adoleshenti nuk arriti të fitojë betejën me plagët e rënda duke ndërruar jetë pas disa ditësh qëndrimi në spital.
Pas aksidentit të rëndë, efektivi Klajdi Mustaj për veprimin e guximshëm që ndërmarri, u vlerësua nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Ky i fundit i akordoi atij certifikatën e shërbimeve të dalluara.