Hungaria është e gatshme të përdorë presidencën e saj të Bashkimit Evropian dhe të jetë ndërmjetëse midis Shkupit dhe Sofjes për të gjetur një zgjidhje për mosmarrëveshjen.
Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban deklaroi nga Ohri se Maqedonia e Veriut duhet të ishte prej kohësh vend anëtar i BE-së. Ndarjen e Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë në rrugën drejt integrimit evropian Orbani e quajti si gabim dhe i propozoi homologut të tij maqedonas, Hristijan Mickoski, që të ndërmjetësojë mes Shkupit dhe Sofjes.
“Nevojitet marrëveshje me Bullgarinë dhe për këtë kam një propozim, të cilin ia përcolla zotit kryeministër dhe i thashë se ne jemi të gatshëm që të shfrytëzojmë kryesimin me BE-në, që të ndërmjetësojmë rreth kësaj çështje. Nëse palët janë të gatshme që ta pranojnë Hungarinë si ndërmjetësuese, kjo është punë e tyre, por ne jemi të përgatitur dhe dëshirojmë që të punojmë në këtë drejtim që të arrihet një zgjidhje e cila do t’i pështatej edhe Maqedonisë edhe Bullgarisë. Por kjo u takon palëve. Ne jemi këtu që të ofrojmë zgjidhjet më të mira”, deklaroi Orban.