Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale nga Partia Demokratike, Luçiano Boçi, ka paraqitur vizionin e opozitës për këtë reformë gjatë një takimi të hapur me qytetarët.
Në fjalën e tij, Boçi theksoi se Partia Demokratike ka objektiva të qarta për reformën territoriale, duke nisur nga ndalimi i shpopullimit dhe rritja e funksionalitetit të njësive vendore, deri te forcimi i decentralizimit dhe autonomisë së pushtetit vendor.
Sipas tij, një nga synimet kryesore është afrimi i shërbimeve te qytetari, duke garantuar që çdo banor, edhe në zonat më të largëta, të ketë akses më të lehtë në administratë dhe shërbime publike.
Boçi nënvizoi gjithashtu se reforma duhet të synojë një “evropianizim efikas” të pushtetit vendor, duke e bërë atë më funksional dhe më të përgjegjshëm ndaj komuniteteve lokale.
Ai shtoi se këto objektiva mund të arrihen përmes rritjes së numrit të bashkive në zona të caktuara, duke marrë në konsideratë kritere si distanca gjeografike dhe identiteti historik i konsoliduar i komuniteteve.
