Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk është një proces që prek vetëm institucionet, por kërkon mbi të gjitha përgatitjen reale të biznesit shqiptar për të operuar në tregun e vetëm europian.
Zv.ministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, u shpreh se anëtarësimi në BE duhet të shoqërohet domosdoshmërisht me një transformim strukturor të vetë biznesit, si kusht për konkurrencë dhe funksionim të qëndrueshëm në një treg me rregulla të unifikuara.
Sipas Musabelliut, elementi i parë thelbësor lidhet me kapacitetet e biznesit.
“Integrimi në BE do të thotë që biznesi duhet të ketë burimet e nevojshme për të konkurruar dhe për të vepruar në tregun e vetëm europian”, theksoi ai, duke nënvizuar se kjo përfshin jo vetëm madhësinë apo kapitalin, por edhe mënyrën e organizimit, menaxhimit dhe qasjen ndaj tregut.
Po aq e rëndësishme, sipas zv.ministrit, është përmbushja e standardeve të prodhimit dhe operimit. Bizneset shqiptare, veçanërisht ato që aktualisht nuk eksportojnë në BE, do të duhet të rrisin standardet e tyre për të qenë funksionale në tregun e përbashkët europian.
“Nuk do të ketë dy realitete të ndryshme, një për Shqipërinë dhe një për BE-në. Rregullat e BE-së do të zbatohen edhe këtu”, shpjegoi Musabelliu, duke nënvizuar se anëtarësimi nënkupton një treg të vetëm me të njëjtat kërkesa.
Në këtë kuadër, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka nisur punën për hartimin e një programi kombëtar për përgatitjen e biznesit shqiptar për tregun e vetëm europian. Aktualisht po zhvillohet një analizë e detajuar e gatishmërisë, për të vlerësuar pozicionin e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë shqiptare përballë kërkesave të anëtarësimit.
Bazuar në këtë analizë, programi do të ndërtohet mbi tre shtylla kryesore: informimin, ndërtimin e kapaciteteve dhe mbështetjen financiare.
Sipas Musabelliut, informimi është thelbësor për të ndihmuar biznesin të kuptojë se çfarë do të thotë të operosh në një treg me rreth 450 milionë konsumatorë, me rregulla më të forta dhe praktika të ndryshme nga ato të tregut vendas.
Shtylla e dytë lidhet me ndërtimin e kapaciteteve, përmes trajnimit të konsulentëve dhe vetë bizneseve, të cilët do të punojnë drejtpërdrejt me sipërmarrjet për të rritur aftësitë e tyre operuese dhe konkurruese në tregun europian.
Ndërsa shtylla e tretë parashikon mbështetje financiare përmes kredive sovrane, garancive sovrane, granteve apo skemave të tjera financimi.
Zv.ministri theksoi se Shqipëria nuk po e nis sot këtë proces, duke kujtuar se prej rreth tre dekadash vendi ka punuar për përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së.
“Në një vlerësim të përgjithshëm, sot mund të jemi rreth 60–65% të përafruar me legjislacionin e BE-së, ndërsa synimi është që ditën e anëtarësimit të shkojmë në rreth 90%”, u shpreh ai.
Një rol të rëndësishëm në këtë proces, sipas Musabelliut, luan edhe CEFTA, e cila shërben si një ushtrim parapërgatitor drejt tregut të përbashkët europian.
“Një nga çështjet më të rëndësishme që pritet të avancojë është njohja e konformitetit të produkteve, që nënkupton shmangien e ricertifikimit në BE për produktet e certifikuara në Shqipëri”, deklaroi ai.
Sa i përket mbështetjes nga Bashkimi Europian, Musabelliu sqaroi se BE ofron një sërë skemash financiare për biznesin, veçanërisht në fushat e digjitalizimit, inovacionit dhe eficiencës energjetike, por që aplikohen drejtpërdrejt nga vetë bizneset.
Për këtë arsye, rritja e kapaciteteve të biznesit shqiptar për të aplikuar dhe përthithur këto fonde mbetet një prioritet kyç në procesin e integrimit europian
