Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, deklaroi se aderimi i Shqipërisë në Konventën e Metrit është një hap i rëndësishëm për harmonizimin e sistemit metrologjik të vendit me standardet ndërkombëtare dhe për rritjen e saktësisë së matjeve në sektorët ekonomikë, industrialë dhe shkencorë.
Duke marrë fjalën në mbledhjen e Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, gjatë diskutimit të Pr/ligjit “Për aderimin e Shqipërisë në Konventën e Metrit, nënshkruar në Paris, më 20 maj 1875, dhe rregulloren përkatëse”, Musabelliut, theksoi se, “ky proces mbështet gjithashtu përpjekjet e Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian.
Ai nënvizoi se, Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë përfaqëson vendin në organizmat ndërkombëtarë dhe bashkëpunon me institucionet homologe për njohjen e ndërsjellë të standardeve të matjeve.
Projektligji parashikon aderimin e Shqipërisë në Konventën e Metrit, të nënshkruar në Paris më 20 maj 1875. Anëtarësimi do t’i mundësojë vendit pjesëmarrje në strukturat ndërkombëtare të metrologjisë dhe akses në standarde dhe etalonë ndërkombëtarë të matjeve.
Sipas rregullave të Byrosë Ndërkombëtare të Peshave dhe Masave (BIPM), Shqipëria duhet të paguajë një kontribut hyrës prej 60 648 eurosh, ndërsa kontributet vjetore do të përcaktohen sipas formulës standarde të këtij institucioni.
Pas diskutimeve Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, miratoi me shumicë votash Projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën e Metrit, nënshkruar në Paris, më 20 maj 1875, të ndryshuar me konventën e nënshkruar në Sèvres, më 6 tetor 1921, dhe rregulloren përkatëse” .
