640 0 1735033241xcapture 244 770x443

Pas përkeqësimit të motit të hënën, i cili shkaktoi probleme të shumta në disa pjesë të vendit, dita e martë ka sjellë një stabilizim të situatës atmosferike. Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) raporton për reshje shiu dhe dëbore në zonat veriore dhe juglindore, të shoqëruara me rënie të temperaturave nën zero gradë celsius.

Një nga zonat më të prekura është aksi Bogë-Theth, ku ekipet e borëpastrueseve po punojnë intensivisht për të mbajtur rrugën të hapur. Në këtë segment qarkullimi është i mundur vetëm me zinxhirë, ndërsa probleme të ngjashme raportohen edhe në rrugët Kir-Shosh dhe Fushë Arrëz-Iballë, ku shpesh herë ka bllokime për shkak të borës.

Emergjencat civile kanë ndërhyrë për të lehtësuar lëvizjen në disa akse kryesore, përfshirë rrugën nga tuneli i Murrizit deri në fshatin Bastar Murrizë. Ndërkohë, qarkullimi në zonat e thella si Lura, Selishta, Kalaja e Dodës, Ostreni, Tërnova, Martaneshi dhe Xibri vijon të jetë i vështirë, me trashësi bore që arrin deri në 25 cm.

Reshje dëbore janë regjistruar edhe në Krujë-Sarisalltik, Trau i Dajtit-Teleferik dhe në Llogara. Falë ndërhyrjes së borëpastrueseve dhe hedhjes së kripës, këto akse janë bërë të kalueshme. Situata paraqitet më e lehtë në jug, në rrugët Korçë-Ersekë, Boboshticë-Dardhë, Voskopojë dhe Qafë Thanë, ku qarkullimi vazhdon pa probleme.

ARRSH apelon drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes të veçantë për shkak të ngricave në rrugë dhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë në zonat malore.

Sa i përket furnizimit me energji elektrike, disa njësi administrative në qarkun e Shkodrës, përfshirë Shalën, Shoshin dhe Pultin, si dhe zonat Iballë, Qafë Mali dhe Blerim, vijojnë të kenë probleme. Autoritetet po punojnë për rikthimin e energjisë në këto zona.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights