Images

Në përkujtim të aktorit të madh Mirush Kabashi, një vit pas largimit të tij nga jeta, u prezantua monografia “Mirush Kabashi, Sokrati shqiptar” në sallën e Universitetit të Arteve. Krahas këtij libri, të pranishmit patën mundësinë të shijonin një ekspozitë fotografike të titulluar “Mes teatrit dhe filmit” dhe një dokumentar të veçantë kushtuar jetës dhe karrierës së aktorit.

E bija e aktorit, Mendi Kabashi, duke folur me emocion, e përshkroi babain e saj si një yll të ndritshëm dhe të paharrueshëm, i cili la një trashëgimi të jashtëzakonshme në artin shqiptar.
“Ai u kthye në një yll që ndriçon përherë, duke qëndruar mes nesh: për familjen dhe publikun që e adhuronte. Falënderoj të gjithë ata që e ndihmuan të shpaloste gjithë shkëlqimin e këtij ylli, një yll që, ndryshe nga personazhi i ‘Yllit pa emër’, mbetet një yll me emër të paharruar në galaktikën e artit shqiptar.”, u shpreh ajo.

Mirush Kabashi mbetet një nga figurat më të rëndësishme të kinemasë dhe teatrit shqiptar. Gjatë karrierës së tij të pasur, ai realizoi mbi 100 role në skenë dhe ekran, duke u cilësuar gjithashtu si një mjeshtër i interpretimit të poezisë shqipe.

Për kontributin e tij të shquar, Kabashi është nderuar me disa tituj të lartë, përfshirë “Nderi i Kombit”, “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”. Si shenjë nderimi të veçantë, Bashkia e Tiranës ka vendosur t’i japë emrin e tij Teatrit te Parku i Madh i Liqenit Artificial, duke e bërë kështu një simbol të përhershëm të artit shqiptar.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights