Screenshot 2025 06 02 120048 696x393

Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese miratoi sot marrëveshjen e financimit me Komisionin Evropian për programin operacional shumëvjeçar në fushën e energjisë, që do të zbatohet për periudhën 2024-2027, në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA III).

Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ami Kozeli, theksoi rëndësinë e këtij programi, i cili përfshin 4 fusha kryesore të veprimit.

Fusha e parë është energjia e rinovueshme dhe eficienca e energjisë, ku synohet përmirësimi i eficiencës së energjisë në ndërtesat publike të 4 bashkive të përzgjedhura, zhvillimi i burimeve të rinovueshme dhe ulja e emetimeve të gazrave serë. Programi do të përfshijë instalimin e paneleve fotovoltaike, kolektorëve diellorë, dhe sisteme të tjera alternative të energjisë, duke mbështetur rreth 8,000 familje me skema grantesh.

Fusha e dytë është infrastruktura për automjetet elektrike, ku synohet ulja e emetimeve të karbonit dhe përafrimi i legjislacionit me atë të BE. Parashikohet instalimi i 130 stacioneve të karikimit të shpejtë në akset kryesore të vendit, si dhe forcimi i kapaciteteve të Agjencisë së Eficiencës së Energjisë.

Fusha e tretë lidhet me eficiencën e energjisë në sektorin e ujit, ku objektivi është përmirësimi i sistemit të ujësjellës-kanalizimeve, përmes instalimit të paneleve fotovoltaike me kapacitet deri në 15 megavat dhe asistencës teknike për stafin e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe ndërmarrjeve vendore.

Fusha e katërt synon përmirësimin e kapaciteteve institucionale, duke ofruar asistencë teknike për përgatitjen e dokumenteve të projekteve dhe ngritjen e kapaciteteve administrative për menaxhimin dhe monitorimin efektiv të programit.

“Ky program, me një vlerë totale prej 79 milionë euro, përfshin një donacion prej 50 milionë euro nga Bashkimi Evropian dhe 29 milionë euro bashkëfinancim nga qeveria shqiptare”, informoi zv.ministri Kozeli.

Shqipëria mbështetet në këtë program për të përmbushur kërkesat e Bashkimit Evropian dhe për të realizuar reformat e nevojshme për integrimin e plotë në BE, duke përmirësuar legjislacionin, politikat dhe praktikat në fushën e energjisë dhe mjedisit.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights