Qeveria miratoi sot Amnistinë Penale. Lajmin e konfirmon Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, përmes një deklarate pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
Ai thotë se 447 persona përfitojnë lirim të menjëhershëm nga burgu dhe 853 të tjerë ulje dënimi. Mes tyre ka gra, të mitur dhe shtetas të huaj. Numri real i përfituesve nga pushimi i ndjekjes penale është shumë më i lartë.
Ministri i Drejtësisë thotë më tej në deklaratën e tij se pret që Parlamenti ta shqyrtojë projektligjin pa vonesa në mënyrë që amnistia të fillojë efektet e saj.
“Objektivi ynë ambicioz është të kemi një sistem që di të ndëshkojë fort kur duhet, por edhe të japë një shans për t’u rikthyer në shoqëri. Drejtësia nuk është vetëm ndëshkim, por edhe një mundësi e dytë e drejtuar nga humanizmi dhe rehabilitimi. Falënderoj të gjitha institucionet që kontribuuan në këtë proces dhe pres që Parlamenti ta shqyrtojë projektligjin sa më parë, në mënyrë që efektet pozitive të amnistisë të ndihen nga mijëra familje shqiptare”, deklaron Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari. Nga kjo amnisti nuk përfitojnë subjektet e Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme për Korrupsionit dhe Krimit e Organizuar.
Projektligji i amnistisë do të depozitohet në Kuvend, ku do të nisë shqyrtimi në komisionet parlamentare dhe më pas kalon për miratim në seancë plenare.
