Kryeministri Edi Rama ka prezantuar këtë të shtunë më 20 qershor, ministrin e ri të Drejtësisë, Besfort Lamallari, të cilin e konsideroi një ndër shërbëtorët më shembullorë të shtetit shqiptar. Ky i fundit mori fjalën, ku pasi falenderoi kryeministrin për besimin e dhënë, renditi dhe disa nga çështjet që do të ketë prioritet gjatë punës së tij. Mes të cilave edhe Inteligjenca Artificiale.
“Miratimi i paketës ligjore që lidhet me standardet e Reformës në Drejtësi, kjo përballë zotimeve që qeveria ka marrë përballë BE-së.
Përmbyllja me sukses e punës për Kodin Penal, për Kodin Civil, të procedurave, dhe kjo. jemi të bindur, do t’i shërbejë standardeve më të mira, jo vetëm të mbrojtjes së të drejtave më themelore të qytetarëve, por edhe një sistemi drejtësie më efikas.
Gjithashtu, një pikë tjetër është ajo e digjitalizimit apo funksionalizimit të sistemit të integruar të menaxhimit të çështjeve gjyqësore, në mënyrë që të kemi një sistem të menaxhueshëm dhe efikas.
Vijojmë punën për përmirësimin e infrastrukturës gjyqësore, ku përfshihen godinat e prokurorive në të gjitha vendet. Kemi të rëndësishëm edhe zbatimin e Masterplanit të Burgjeve, duke synuar përmirësimin e kushteve të trajtimit të të burgosurve. Hapja e Institutit për rehabilitimin e të miturve, duke qenë vend avangardë në rajon.
E fundit, por jo nga rëndësia, ne do ta konsiderojmë prioritet të përditshëm atë projekt vizionar të qeverisë shqiptare që ka nisur, për krahasimin e kuadrit ligjor vendas, duke shmangur mbivendosjet, përmes përdorimit maksimal të aleatit tonë të Inteligjencës Artificiale, dhe këtë do ta ndjekim çdo ditë dhe në çdo kohë.”, tha ministri i Drejtësisë.
Ai falenderoi kryeministrin Rama për besimin e dhënë, si dhe paraardhësin e tij në këtë detyrë, Ulsi Manjën.
“Shumë faleminderit, kryeministër, për vlerësimin tuaj të dhënë, vlerësimin publik për përkushtimin tim të tanishëm. Për mua është vlerësimi më i lartë për ta kryer me nder këtë detyrë, për të inkurajuar sidomos ata që ndajnë të njëjtat cilësi dhe përgjegjshmëri në zbatimin e kritereve të programit qeverisës.
Që ta justifikoj dhe ta mbaj me nder këtë vlerësim deri në ditën time të fundit këtu.
Dua të falënderoj z. Manja për punën shumë të mirë të bërë këtu, por edhe për bisedat shumë të mira dhe miqësore të këtyre ditëve, të cilat ma bëjnë shumë komode marrjen e stafetës prej tij. Drejtuar stafit, një burrë i mendshëm më ka thënë jo shumë kohë më parë që të duhet ekip për të bërë sukses, dhe sukses për të bërë një ekip të mirë.”, tha Lamallari.
