Memorandumi “Për sigurimin e shërbimeve investiguese shtesë”, në bazë të të cilit është ngritur “Njësia e Përbashkët e Shërbimeve Investiguese” në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Zyrën Rajonale të Sigurisë së Ambasadës së SHBA, përshkruan më së miri nivelin e besimit dhe vlerësimit që gëzon Policia jonë, në raport me partnerët amerikanë.
Këtë theksoi ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, në takimin që zhvilloi sot me Kathryn Hammond, Zëvendësshefe e Misionit në Detyrë dhe Zyrtare Rajonale e Sigurisë, ku morën pjesë edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ilir Proda, Drejtor i Departamentit të Policisë Kriminale Neritan Nallbati, dhe përfaqësues të Njësisë së Përbashkët hetimore.
Ata bënë një bilanc të përpjekjes së përbashkët kundër disa figurave të krimit e njëherësh vlerësuan rezultatet e arritura.
“Natyrisht puna e Njësisë së Përbashkët Investiguese nuk ka qenë e lehtë, por si çdo barrë tjetër e strukturave policore apo agjencive ligjzbatuese, kur nisesh drejt një objektivi të caktuar, nuk ka pengesë të pakapërcyeshme. Vlerësova punën e deritanishme të Njësisë, e shpreha besimin se ky bashkëpunim do vijë duke u thelluar e konsoliduar në të ardhmen, sidomos sa u përket kundër tentativave për kontrabandë në njerëz e trafiqe të ndryshme”, nënvizoi ministri.
Organizimi i operacioneve të përbashkëta mes strukturave policore dhe autoriteteve ligjzbatuese amerikane, janë një realitet i prekshëm, njëherësh një fakt që dëshmon nivelin profesional të Policisë Shqiptare, e sidomos besueshmërinë e prestigjin që ajo gëzon në raport me simotrat e saj.
“Përfitova nga rasti të falënderoja Ambasadën e SHBA për bashkëpunimin dhe autoritetet shtetërore amerikane për mbështetjen e dhënë dhe gatishmërinë për të kontribuar në rritjen e zhvillimin e kapaciteteve të Policisë Shqiptare, në mënyrë të veçantë, pjesëtarëve të “Njësisë”. Kjo mbështetje na rrit besimin dhe na bën më optimistë sidomos në dritën e faktit që Shqipëria tashmë ka hyrë në mënyrë të pakthyeshme në rrugën e integrimit në familjen e madhe evropiane, një rrugëtim për të cilin kemi edhe mbështetjen e pakursyer të aleatëve tanë strategjikë amerikanë. Po punojmë për të ndërtuar një Polici që të jetë në çdo kuptim, Polici e standardeve më të mira e, në këtë vështrim, ndihmesat e dhëna nga partnerët tanë janë të një vlere të pallogaritshme”, tha Hoxha.