Pistorius 1024x576
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, e vlerësoi gabim ndikimin e tij mbi presidentin rus Vladimir Putin. Ky është mendimi i ministrit të Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius pas telefonatës që pati mes dy udhëheqësve sipas asaj që shkruan Reuters. Nga ajo nuk pati progres për bisedimet e paqes me Ukrainën ndërsa Europa po përgatitet të shpallë sanksione të reja ndaj Rusisë. “Dyshoj se [Trump] bëri një vlerësim të gabuar të pozicionit të tij në negociata”, tha Pistorius për radion publike gjermane “Deutschlandfunk” pas përpjekjeve tashmë të braktisura nga Trump për t’i ushtruar presion Putinit që të pranojë një armëpushim 30-ditor pa kushte. Ndërkohë Bashkimi Europian po punon për një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë. Pistorius tha se mbetet të shihet nëse Uashingtoni do t’i bashkohet këtyre masave në një kohë që bisedimet vijojnë nëpërmjet kanaleve të zakonshme diplomatike. Kujtojmë se pas bisedës telefonike me homologun e tij rus, Trump tha se Rusia dhe Ukraina do të “fillojnë menjëherë negociatat për armëpushim”. Edhe pse ende nuk është e qartë se ku do të zhvillohen ato apo edhe niveli i përfaqësimit Trump zbuloi se Vatikani ka shprehur gatishmëri për pritjen e tyre. “Vatikani, i përfaqësuar nga Papa, ka deklaruar gatishmërinë për t’i pritur negociatat”, shkroi Trump në rrjetet sociale pas bisedës. Në anën tjetër, Vladimir Putin u parapriu deklaratave të Trump-it duke dalë menjëherë para gazetarëve dhe dha një variant më konservator. Ai tha se Moska është gati të punojë me Ukrainën për një memorandum në lidhje me një traktat paqeje në të ardhmen. Ndërsa Kremlini lëshoi një deklaratë se gjatë telefonatës nuk ishte folur për ndonjë afat kohor të armëpushimit. Ndërsa europianët po përgatisin paketën e 17 të sanksioneve kundër Rusisë. Bashkë me Britaninë e Madhe, BE-ja tha se do të përqendrohen te “flota në hije” e Moskës, që përfshin cisterna nafte dhe kompani financiare. “Sanksionet adresojnë gjithashtu kërcënimet hibride dhe të drejtat e njeriut. Ndërsa janë në proces më shumë sanksione ndaj Rusisë”, tha diplomatja e lartë e BE-së, Kaja Kallas. Çështja e armëpushimit u bë pjesë edhe e samitit të Komunitetit Politik Europian më 16 Maj që u zhvillua në Tiranë. Emmanuel Macron, Keir Starmer, Friedrich Merz, Donald Tusk dhe Volodymyr Zelensky folën me telefon nga kryeqyteti i Shqipërisë me Donald Trump për t’u koordinuar për përgjigjen ndaj Rusisë pas dështimit të negociatave edhe në Stamboll të Turqisë. “Në bisedë me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, po harmonizojmë nga afër reagimin tonë ndaj qëndrimit të papranueshëm të Rusisë”, tha kryeministri i Britanisë së Madhe pas bisedës me Trump. Të njëjtin qëndrim mbajtën edhe liderët e Francës e Gjermanisë. Ndërkohë Zelensky kërkoi që nëse Rusia refuzon armëpushimin e plotë dhe pa kushte duhet që ndaj saj të ndërmerren sanksione të forta.
FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights