Denni Xhepa, është 22 vjeç, shqiptar i lindur në Pinerolo dhe do të garojë për herë të dytë pas Pekinit në slalomin gjigant, në Lojërat Olimpike Milano-Cortina 2026, shkruan Timothy Ormezzano për prestigjiozen italiane ”Corriere della sera” (CDS)
“Ka një shans që të jem unë përsëri flamurmbajtësi”, tha Denni të mërkurën.
Dhe kjo shpresë u bë realitet dje.
Skiatori 22-vjeçar, i lindur në Pinerolo nga prindër shqiptarë dhe i rritur në Sestriere, ishte përsëri flamurmbajtësi i Shqipërisë dje.
Në Lojërat Olimpike Milano-Cortina 2026, ai do të përsërisë përvojën që pati në Pekin 2022, kur, gati 18 vjeç, ishte i vetmi atlet nga Toka e Shqiponjave në ceremoninë e hapjes në një stadium të heshtur, të mbyllur për shkak të Covid-19.
“Ishte diçka e paharrueshme edhe pse gjithçka ishte e mbyllur. Këtë herë do të jetë ndryshe, më e lirë, më reale. Fillimisht, mendova të parakaloja në stadiumin ‘San Siro’, ku nuk kam qenë kurrë. Në vend të kësaj, do të jem flamusmbajësi në ceremoninë e hapjes. Rijetimi i emocioneve të lojërave, këtë herë kaq afër shtëpisë, do të jetë madhështor, një çmenduri”, thotë ai.
Nga Pekini në Milano-Cortina
Megjithatë, katër vjet më vonë, nuk është vetëm mjedisi që ka ndryshuar.
“Sot i shoh Lojërat Olimpike me një vetëdije të ndryshme. Në Pekin, ndjeva një garë si çdo garë tjetër. Porta është gjithmonë e njëjtë, bora është e bardhë, shtyllat janë blu dhe të kuqe. Por, tani e kuptoj vërtet se çfarë do të thotë të përfaqësosh një vend me të cilin kam një lidhje gjaku”, thotë ai.
Në vitin 2022, ai përfundoi i 28-ti në slalomin olimpik. Sot, ai mbërrin me më shumë përvojë, më shumë qëndrueshmëri dhe ndjesinë e hyrjes në fazën e të rriturve të karrierës së tij.
Xhepa do të garojë si në sllallomin gjigant më 14 shkurt, ashtu edhe në sllallomin special më 16 shkurt.
Ambiciet e tij mbeten të moderuara, me këmbët e tij të vendosura fort në dëborë, kur thotë “nëse argëtohem, rezultatet vijnë gjithmonë. Nuk kam vendosur një qëllim specifik. Dua të jap gjithçka dhe të garoj me ata që fitojnë Kupën e Botës”.
Edhe Lara Colturi është atje
Këtë herë, ”ekspedita” e Shqipërisë nuk do të jetë solo. Gjithashtu në ekip është Lara Colturi, një italiane e Val Susas si ai, dhe një flamurmbajtëse si ai.
Vajza e sportistes olimpike, Daniela Ceccarelli, e cila ndjek hapat e të atit, marshoi me flamurin kuq e zi në Cortina d’Ampezzo.
“Shpresoj shumë që Laura të fitojë medaljen e parë të Lojërave Olimpike Dimërore të vendit tonë. Ajo ka treguar se mund të konkurrojë me më të mirat. Po vjen nga një periudhë e vështirë fizikisht, por nëse rifiton formën e saj, mund të bëjë shumë mirë”, thotë Denni.
Nën dy kullat që simbolizojnë Sestrieren, ndodhet një komunitet i madh shqiptar.
“Babai im mbërriti në Itali 30 vjet më parë me një varkë, disa vjet pas zbarkimeve masive në portin e Barit. Disa familje janë larguar së fundmi nga Sestriere për të jetuar diku tjetër, disa në Pinerolo. Por, ne, definitivisht nuk jemi të vetmit në Colle”, thotë Denni.
Denni mësoi shqipen në shtëpi dhe flet italisht me vëllanë e tij Sildi, tani jeta dhe shpirti i mensës së shkollës, një skiator dhe një pikë referimi gjatë stërvitjes.
Babai i tij, Hajredini, është punëtor ndërtimi dhe ka shumë të ngjarë të jetë në stadium me nënën e tij, Silvana – një ish-kuzhiniere, tani kujdestare në Lojëra.
Denni është një djalë i veçantë, njësoj si sllallomi i tij i dashur.
Dhe historia e tij, kthesë pas kthese, vazhdon të të befasojë.
