Untitled

Pas përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, besimtarët myslimanë në Shqipëri kremtuan sot Fitër Bajramin, një nga festat më të rëndësishme në kalendarin islam.

Në kryeqytet, mijëra qytetarë iu drejtuan që në orët e para të mëngjesit Sheshit “Skënderbej”, ku u zhvillua ceremonia qendrore e faljes së Bajramit.

Programi nisi rreth orës 06:45 me leximin e ajeteve nga Kurani dhe ligjëratën përkatëse, ndërsa më pas besimtarët kryen faljen e namazit të Bajramit në një atmosferë përkushtimi dhe qetësie shpirtërore.

Ndërkohë, vizitat tradicionale dhe pritjet e urimeve në selinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë vijojnë gjatë paradites.

Në mesazhin e tij, kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu, theksoi rëndësinë e solidaritetit dhe ndihmës ndaj familjeve në nevojë, duke e cilësuar këtë festë si një moment reflektimi dhe bashkimi.

Ai bëri gjithashtu thirrje për paqe, duke kujtuar situatat e vështira në zonat e konflikteve dhe vuajtjet e familjeve që përballen me pasojat e luftës.

Fitër Bajrami shënon përmbylljen e agjërimit njëmujor dhe lidhet ngushtë me aktin e bamirësisë, ku besimtarët japin lëmoshë për të ndarë gëzimin e kësaj dite me ata që kanë më shumë nevojë.

Kjo festë vjen si një shpërblim shpirtëror pas sakrificës së Ramazanit dhe përçon vlera të forta të mëshirës, dashurisë dhe bashkëjetesës.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights