Në Gaza bëhet testament edhe në moshën tridhjetëvjeçare. Sidomos kur profesioni që ke zgjedhur është gazetaria.
“Ghaith, zemra dhe shpirti i nënës tënde, të lutem të mos qash për mua, por të lutesh për mua, që unë të mund të mbetem e qetë”, shkruhet në letrën që Mariam Abu Dagga, 33 vjeç, gazetare e pavarur dhe bashkëpunëtore e disa mediave ndërkombëtare, përfshirë Associated Press, i ka lënë të birit 12-vjeçar, nga i cili u detyrua të ndahej në fillim të luftës, pasi ai u evakuua jashtë Rripit.
Mesazhi është një testament shpirtëror, një përkëdhelje e fundit, i përkthyer dhe shpërndarë më pas nga Patrick Zaki në rrjete sociale.
“Dua që të mbash kokën lart, të studiosh, të jesh i shkëlqyer e i dalluar, dhe të bëhesh një burrë me vlerë, i aftë të përballosh jetën, dashuria ime. Mos harro se gjithçka bëja, e bëja për të të bërë të lumtur, të qetë dhe në paqe. Kur të rritesh, të martohesh dhe të kesh një vajzë, vendosi emrin tim, Mariam”.
Mariam Abu Dagga tregonte urinë në Gaza përmes postimeve në rrjete sociale. Ajo u vra nga një tank izraelit në një vend që e kishte për zemër: Spitali Nasser, ku shkonte pothuajse çdo ditë për të mbledhur historitë e fëmijëve të kequshqyer dhe për t’i përcjellë te agjencia nga e vetmja pikë ku kishte sinjal telefoni, shkallët e jashtme të spitalit.
Pikërisht në ato shkallë, një ditë më parë, ndodhej edhe Hussam al-Masri, kameraman i kontraktuar nga Reuters, që po bënte një transmetim të drejtpërdrejtë, pa e ditur se po filmonte vdekjen e tij. Ai ishte i pari nga pesë gazetarët që u vranë; të tjerët u goditën nga predha e dytë.
“Jemi të tronditur nga lajmi i vrasjes së bashkëpunëtorit tonë Hussam al-Masri dhe plagosjes së një tjetri, Hatem Khaled, në sulmet izraelite”, shkroi Reuters, duke kërkuar sqarime.
Fotoreporteri i pavarur Moaz Abu Taha e rrëfen historinë te La Repubblica përmes një miku të tij, pediatrit Ahmad al Farra.
“Nuk mund ta harroj humanizmin dhe empatinë e tij. Për ne nuk ishte thjesht gazetar. Shpesh vinte në spital për të xhiruar, por ndalej edhe për të ndihmuar familjet e pacientëve, u blinte qumësht fëmijëve. Kam ende në WhatsApp mesazhin e fundit që më dërgoi të dielën në mbrëmje: “Doktor, bleva disa biskota për t’i sjellë nesër te fëmijët e repartit tënd.” E vranë para se të arrinte”, tha ai.
Fotoreporter dhe kameraman ishte edhe Mohammed Salama, i Al Jazeera. Ai ishte i fejuar me një vajzë të quajtur Hala Asfour. Kishin vendosur të martoheshin vetëm pasi të arrihej armëpushimi, një afat i paqartë, që ende po diskutohet në Doha, por që nuk vjen.
“Gjaku i gazetarëve tanë nuk ishte tharë ende, kur forcat e okupimit kryen një tjetër krim kundër kameramanit tonë Mohammed Salama”, deklaroi drejtoria e Al Jazeera, duke kujtuar edhe reporterët e tjerë të vrarë kohët e fundit.
I pesti gazetar që humbi jetën në atë sulm të pakuptimtë ishte Ahmed Abu Aziz, që punonte për Quds Feed Network dhe Middle East Eye.
Një ditë e zezë për lirinë e shtypit, që nuk u ndal as në spitalin Nasser. Teksa bota vajtonte dhe dënonte ngjarjen, në Mawasi një tjetër sulm goditi Hassan Douhan, akademik dhe gazetar për Al-Hayat dhe Al-Jadida.
Gjashtë viktima, një punë e vetme.
