Image

Është një premtim që për shumë njerëz mund të duket si dënim. Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka njoftuar se brenda tre viteve të ardhshme do të rikthejë në vendin e tyre shumica dërrmuese e sirianëve që jetojnë në Gjermani, rreth 80% e tyre.

Ky angazhim u bë pas një takimi të diskutueshëm në Berlin me presidentin sirian Al-Sharaa. Vizita zyrtare, që kishte qenë e anuluar disa javë më parë, u shoqërua edhe këtë herë me protesta kundër shtypjes së kurdëve, alaivitëve, druzëve dhe të krishterëve, si dhe kundër kthesës islamiste që ish-terroristi i Al Kaedës po imponon në vendin e tij.

Duke folur për shtypjen e pakicave, Merz u shpreh vetëm se i “inkurajon fuqishëm të krijojë hapësirë për të gjithë sirianët, pavarësisht nga feja ose etnia e tyre”, drejtuar Al-Sharaa. Ndërkohë, një delegacion i madh biznesmenësh gjermanë u angazhua, gjatë një forumi gjermano-sirian në krah të vizitës zyrtare, për të marrë pjesë në rindërtimin e vendit.

Për Stephan Reichel, president i organizatës joqeveritare Matteo që merret me azilkërkuesit, “do të ishte më e ndershme të quhej kjo premtim për atë që është: rimigrim”, që do të thotë deportim masiv i migrantëve, i propaganduar nga e djathta ekstreme Afd në Gjermani. Reichel shton për gazetën Repubblica: Ose Merz po jep shifra të ekzagjeruara, ose po planifikon të rivlerësojë procedurat e azilit dhe njohjen e shtetësisë për qindra mijëra sirianë.

Shifrat, sipas tij, janë të qarta: aktualisht 952 mijë sirianë jetojnë në Gjermani, dhe rreth 250 mijë, një e katërta, kanë pasaportë gjermane. Afërsisht 71 mijë, ose 7.5%, kanë leje qëndrimi afatgjatë. Rreth 280 mijë kanë marrë të drejtën e azilit deri në tre vjet dhe 240 mijë kanë leje njëvjeçare.

“Në rrezik real, sipas ligjeve aktuale, do të ishin maksimume rreth 100 mijë persona që kanë kërkesat e azilit nën shqyrtim”, thekson Reichel. Ai shprehu siguri se qeveria gjermane “do të vazhdojë politikën brutale të refuzimeve dhe deportimeve që po shohim që nga viti i kaluar.”

Sa i përket vendimit të kancelarit për të rishqyrtuar statusin e refugjatit të njohur deri tani për rreth 700 mijë sirianë, duket se nuk ka dyshime. Argumenti është fundi i regjimit të Bashar Al-Assad dhe i luftës civile që ka shkatërruar Sirinë për një dekadë.

“Lejet e dhëna gjatë luftës civile duhet të rishikohen”, theksoi Merz dje pranë Al-Sharaa. Megjithatë, partneri i tij i qeverisë, SPD, ka pohuar se sirianët që janë mirëintegruar duhet të kenë mundësinë të qëndrojnë në Gjermani.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights