Prokuroria e Beratit ka marrë të pandehur këtë të martë, më 2 shtator, një ish-drejtues të lartë të Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH) dhe djalin e tij, të cilët po përballen me akuza të rënda penale, përfshirë nxjerrje të sekretit shtetëror, mbajtje pa leje të municioneve, dhe organizim të lojërave të fatit në mënyrë të paligjshme.
Sipas një njoftimi zyrtar nga Prokuroria e Beratit, i hetuari me inicialet A. Sh., ish-drejtor i SHISH në Berat, dhe djali i tij P. Sh., janë proceduar penalisht pas hetimeve të thelluara mbi procedimin penal nr. 370 të vitit 2023.
Lojëra fati në lokal privat
Hetimet nisën pas informacioneve se në një lokal në lagjen “30 Vjetori” të qytetit të Beratit, i administruar nga P. Sh., zhvilloheshin aktivitete të paligjshme të lojërave të fatit.
“Sipas Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Berat, nga hetimet mbi procedimin penal nr.370 të vitit 2023, pas informacioneve se në një ambient në lagjen ’30 Vjetori’ në një lokal që drejtohej nga shtetasi P.Sh., po zhvilloheshin lojëra fati, u konstatuan kompjuterat e markave të ndryshme, të ndezura dhe në ekrane shfaqen lojrat online të ngjashme me ato të Adex Casino.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Municion në banesë, i mbante si “souvenir”
Kontrolli i ushtruar më pas në banesën e A. Sh., çoi në gjetjen e municioneve luftarake, përfshirë një krehër metalik me pesë fishekë kalibri 7.62 mm, si dhe tre krehëra të mbushur, gjithashtu me fishekë të të njëjtit kalibër.
Në deklarimet e tij, A. Sh. ka pranuar se është larguar nga detyra në nëntor të vitit 2023 dhe ka dorëzuar armatimin, por “ka harruar të dorëzojë municionin”, të cilin pretendon se e kishte marrë si suvenir nga godina e vjetër e Shërbimit Informativ.
“Ky shtetas i cili ka ushtruar detyrën si Drejtor i Shërbimit Informativ Berat, shpjegoi se, në nëntor të vitit 2023 është larguar nga detyra dhe ka dorëzuar armatimin por ka harruar të dorëzojë municionin e gjetur në banesë nga shërbimet e policisë. Ai sqaroi se, fishekët e kalibrit 7.62 janë fishek të armëve të vjetra që i ka gjetur të godina e vjetër e ShIK-ut dhe i ka marrë si suvenir dhe i ka harruar në banesë.”, sipas hetimeve.
Megjithatë, verifikimet zyrtare të Prokurorisë kanë vërtetuar se ai i kishte dorëzuar të gjitha pajisjet e SHISH sipas procedurës dhe se mbajtja e fishekëve në banesë ishte e paligjshme.
Materiale sekrete në USB
Po ashtu, në banesë u gjetën dy USB me mbishkrimet “Turbox” dhe “Kingston”, në të cilat, sipas ekspertizës së Prokurorisë, ndodheshin dy dokumente të klasifikuara në nivelin “sekret”, që i përkasin SHISH-it dhe janë të ndaluara për t’u shumëfishuar apo ruajtur jashtë ambienteve të sigurisë.
Sa i përket USB-ve, u vërtetua se informacionet e përmbajtura aty ishin materiale të ndjeshme, që administrohen në kopje të vetme nga SHISH dhe nuk mund të kopjohen apo mbahen nga persona që nuk janë më në detyrë.
“Rezulton përfundimisht e provuar se i pandehuri A. Sh. ka qenë me detyrë punonjës i Shërbimit Informativ të Shtetit dhe ka kopjuar materiale që, sipas ligjit të njohur publikisht, përbëjnë sekret shtetëror, dhe i janë besuar për shkak të detyrës.”, vijon njoftimi.
Marrja e këtyre materialeve në kundërshtim me rregullat e sigurisë së informacionit të klasifikuar, dhe përhapja e tyre në dy USB brenda në banesën e të pandehurit, kur ai nuk ushtronte më as detyrën e punonjësit të shërbimit informativ të shtetit, që ka rezultuar me ekspozimin e pjesshëm ose tërësor, në mënyrë të paautorizuar, përbën shkelje të sigurisë së informacionit të klasifikuar.
Të dy të pandehurit përballen me akuzat për këto vepra penale:
-“Tregimi i sekretit shtetëror nga personi që i është besuar” – Neni 294/1 i Kodit Penal
-“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” – Neni 273/3
-“Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” – Neni 197/1
