if (window.location.pathname === "/" || window.location.pathname === "/index.php") { setTimeout(function(){ location.reload(); }, 15000); // 15 sekonda }
Meloni 2 1024x576

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka kritikuar ashpër Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian (GJDE), pasi kjo e fundit dha një vendim që konsiderohet si goditje për planin e saj për të frenuar emigracionin e parregullt.

Marrëveshja, e nënshkruar mes Italisë dhe Shqipërisë në vitin 2023, parashikonte dërgimin e disa emigrantëve të shpëtuar në Mesdhe drejt qendrave të kontrolluara nga Italia në Shëngjin dhe Gjadër, ku do të përshpejtohej shqyrtimi i kërkesave për azil, sidomos për ata që vinin nga vende të cilësuara si “të sigurta”.

Por kjo skemë u bllokua disa herë nga gjykatat italiane, të cilat vunë në dyshim mënyrën se si qeveria ka përcaktuar vendet e sigurta, si Bangladeshi apo Egjipti.

Vendimi i GJDE-së, i shpallur të premten, i jep të drejtë shteteve anëtare të BE-së që të shpallin një vend si të sigurt për kthim, por kërkon që kjo të bëhet në mënyrë transparente, e argumentuar dhe e hapur ndaj sfidave ligjore.

“Ligji i BE-së nuk e ndalon një shtet anëtar të përcaktojë një vend të tretë si të sigurt, por ky përcaktim duhet të jetë subjekt i shqyrtimit efektiv gjyqësor”, tha gjykata.

Meloni reagoi menjëherë duke akuzuar gjykatën për ndërhyrje në politika që, sipas saj, u takojnë qeverive dhe parlamenteve sovrane.

“Ky është një vendim që dobëson politikat për të luftuar emigracionin e paligjshëm në masë dhe për të mbrojtur kufijtë kombëtarë”, tha zyra e saj në një deklaratë.

Kryeministrja shtoi se vendimi “rrezikon të zvogëlojë edhe më tej hapësirën tashmë të kufizuar të autonomisë së qeverisë dhe parlamentit”.

Zëvendëskryeministri dhe lideri i Legës së ekstremit të djathtë, Matteo Salvini, e cilësoi vendimin si “skandaloz” dhe “një tjetër dëshmi e një Evrope që nuk funksionon.”

Vendimi i gjykatës erdhi pas ankesës së dy shtetasve nga Bangladeshi, të cilët u dërguan në Shqipëri pasi u shpëtuan në Mesdhe, por u refuzuan për azil nga autoritetet italiane me arsyetimin se Bangladeshi është një vend i sigurt.

Ata kundërshtuan vendimin në gjykatat italiane, duke argumentuar se qeveria nuk kishte justifikuar përcaktimin e vendit të tyre si të sigurt dhe nuk u kishte ofruar mundësinë për ta kundërshtuar atë.

Sipas organizatës Freedom House, Bangladeshi konsiderohet si “pjesërisht i lirë,” për shkak të persekutimeve politike dhe dhunës, sidomos pas rrëzimit të qeverisë së Aëami League vitin e kaluar.

Në vendimin e saj, GJDE theksoi gjithashtu se një vend nuk mund të konsiderohet i sigurt nëse të drejtat e njeriut garantohen vetëm për një pjesë të popullsisë. Ky standard do të qëndrojë në fuqi deri në hyrjen në fuqi të një legjislacioni të ri në vitin 2026.

Ndërkohë, opozita në Itali e ka konsideruar vendimin si një konfirmim të kritikave të saj ndaj marrëveshjes me Shqipërinë.

Deputeti i Partisë Demokratike, Matteo Orfini, tha se “modeli i Shqipërisë ka dështuar” dhe se “është përdorur në mënyrë abuzive për qëllime propagandistike, duke shkaktuar shkelje të të drejtave dhe shpërdorim të afro 1 miliard eurove të fondeve publike”.

Edhe Lëvizja Pesë Yjet akuzoi Melonin për “padituri, improvizim dhe slogane boshe” në trajtimin e çështjes së emigracionit.

Pavarësisht vendimit, Meloni ka premtuar se do të vazhdojë përpjekjet për të vënë në funksion të plotë qendrat në Shqipëri, të cilat ajo i konsideron një instrument të domosdoshëm për të frenuar lëvizjet e rrezikshme përmes Mesdheut.

Agjencia e lajmeve italiane Ansa, raportoi mbrëmjen e 1 gushti duke iu referuar burimeve nga qeveria se operacionet në qendrat shqiptare nuk do të ndryshojnë dhe do të vazhdojnë të funksionojnë.

Aktualisht, në pritje të zbatimit të plotë të marrëveshjes, disa dhjetëra emigrantë të cilëve u është refuzuar azili ndodhen ende të strehuar në qendrat shqiptare, në pritje të riatdhesimit.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights