Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka kërkuar nga Gjykata Europiane e Drejtësisë (GJED) të refuzojë kërkesat e ngritura nga disa gjykata italiane që vënë në pikëpyetje marrëveshjen për transferimin e emigrantëve të paligjshëm në Shqipëri.
Gjatë një seance në dhomën e ulët të Parlamentit italian, Meloni u shpreh për rëndësinë e ruajtjes së politikave të riatdhesimit, ndërsa përgatitej të merrte pjesë në një takim të Këshillit Europian në Bruksel. Ajo paralajmëroi se një vendim i mundshëm i GJED në favor të gjykatave italiane mund të dëmtojë përpjekjet për menaxhimin e emigracionit jo vetëm në Itali, por në të gjithë Bashkimin Europian, deri në hyrjen në fuqi të rregullave të reja të BE-së më 2026.
Gjykatat italiane kanë kërkuar nga GJED interpretimin e vlefshmërisë së përfshirjes së vendeve me konflikte ose pasiguri lokale në listën e “vendeve të sigurta” për riatdhesim. Meloni theksoi se kjo çështje është kyçe për politikat aktuale të azilit dhe emigracionit.
Sipas planit italian, vetëm burrat e rritur dhe që nuk konsiderohen të cenueshëm, nga vende të cilat Roma i ka klasifikuar si “të sigurta”, transferohen në dy qendrat e ngritura në Shqipëri, në Shëngjin dhe Gjadër. Në këto qendra shqyrtohen kërkesat e tyre për azil, dhe në rast refuzimi, ata riatdhesohen në vendet e origjinës në mënyrë të shpejtë.
Kjo marrëveshje mes Italisë dhe Shqipërisë shihet si një model eksperimental në menaxhimin e flukseve migratore, por mbetet e kushtëzuar nga vendimet e institucioneve gjyqësore europiane.