Melania Trump, modelja e suksesshme sllovene që rikthehet si Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, u vendos në qendër të vëmendjes që në vitin 2016, kur bashkëshorti i saj, Donald Trump, u zgjodh president për herë të parë. Zonjën e Parë të SHBA-së, prindërit e quajtën Melanija Knavs. Bota e njohu atë në rolin e Zonjës së Parë të Shteteve të Bashkuara, Melania Trump.
Ajo ka lindur më 26 prill 1970 në Slloveni, pjesë e ish-Jugosllavisë. Gjatë fëmijërisë së saj në qytetin e Sevnicës, babai i saj shiste makina, ndërsa nëna e saj punonte në industrinë e tekstilit. Melania Knavs ishte e interesuar për modën. Ajo ndërpreu studimet universitare dhe me emrin e ri Melania Knauss, ndoqi karrierën e modeles në Evropë.
Në vitet 1990, suksesi i saj e solli atë në Shtetet e Bashkuara. Melania Knauss u bë Melania Trump më 22 janar 2005 dhe lindi djalin e saj të parë dhe të vetëm, Barron, një vit më vonë. Në të njëjtin vit, ajo u bë edhe shtetase amerikane.
Jeta e Melania Trump-it mori një kthesë tjetër kur burri i saj kandidoi për president i Shteteve të Bashkuara në vitin 2016 me Partinë Republikane dhe ajo iu bashkua atij në fushatën elektorale. Donald Trump-i bëri betimin si presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara në janar të vitit 2017.
Si zonja e parë, Melania Trump bëri udhëtime në mbarë botën dhe ndërmori projekte si fushata “Bëhu më i miri” që fokusohet në mirëqenien e fëmijëve, sigurinë në internet dhe abuzimin me opioidet. Ajo mbajti një profil më të ulët se shumë zonja të para, por u përball megjithatë me një vëmendje intensive nga mediat. Pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, Melania Trump praktikisht u largua nga sytë e publikut.